
Kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka mbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 maji në Lezhë, ku ka deklaruar se koalicioni që ai përfaqëson nuk është “parti e vogël me interes të vogël”, por një lëvizje e madhe që ka për qëllim transformimin e vendit.
“Kur e nisëm këtë rrugë ishim një grusht djemsh dhe vajzash që kishin një ëndërr, demokratizimin e atdheut, e ndër të cilët tham dhe votën e diasporës, të gjithë na thoshin nuk e bëni dot, sepse nuk keni numra, sepse ata kanë mandatë në parlament, a është fakt sot se diaspora po voton, a ja dolëm? Kështu do t’ja dalim në çdo gjë,” deklaroi ai.
Sipas Lapajt, “Shqipëria Bëhet” sjell një program konkret, me fokus të drejtpërdrejtë në ekonomi, ndërsa ironizoi partitë kundërshtare.
“Shikoni modelet dhe krahasojini, çfarë kemi përballë, një politikë që program të vetin ka kukumjaçka, këneta, timoni, tepsia, miu, zhapiku, çamçakëzi, nga këto historitë e tallavasë që ka 34 vite që i ka lënë shqiptarët pa ujë te shtëpi, pa fëmijët, me rroga më të ulëta, pa ilaçe,” theksoi ai.
Lapaj e krahasoi koalicionin që drejton me një shkëndijë dhe ortek që ka potencialin të shkaktoj ndyshime të mëdha.
“Një guriçkë e vogël e shkakun ortekun në male. Një shkëndijë e vogël i djeg pyjet qindra vjeçe, një e çarë e vogël e mbyt anijen e madhe. Ne e kemi nisur si të vegjël, por do jemi shkëndija, orteku, e çara e sistemit që do t’i jap fund bandave”, tha ai.