
Jehona në Greqi! Kush është vajza shqiptare që refuzon të braktisë Santorinin…
Mijëra banorë po largohen nga ishulli grek i Santorinit mes një vale aktiviteti të lartë sizmik.
Xheni Baja është një 20-vjeçare shqiptare e cila jeton dhe punon si recepsioniste në një hotel në ishullin grek të Santorinit, i cili është goditur nga qindra tërmete që kanë shkaktuar frikë te banorët.
Vajza shqiptare thotë se ka zgjedhur që të mos largohet nga ishulli, siç po bën një pjesë e konsiderueshme e popullatës së Santorinit.
“Unë mund të shkoja në Athinë ose në Shqipëri, por nuk e zgjodha këtë opsion. Unë vendosa të qëndroja këtu. Në fillim situata nuk ishte aq shqetësuese, as që më shkoi në mendje të largohesha. Por tani, gjërat po bëhen të vështira, në mendje më kalojnë shumë gjëra. Si banore e ishullit jam mësuar me tërmetet, por jo me këtë frekuencë”, tha Xheni për “Protothema”.
Të afërmit e Xhenit janë larguar nga ishulli, por për momentin ajo nuk mendon t’i ndjekë. Për të, jeta në Santorini vazhdon, edhe nëse toka dridhet çdo orë.