Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, ka mbërritur bashkë me të fejuarën e tij, Lauren Sánchez, në Venecia të Italisë, ku do të organizojnë një dasmë luksoze që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikun në mbarë botën. Çifti mbërriti të mërkurën në qytetin e lagunës, ku i priste një seri festimesh shumë-ditore në ambiente prestigjioze.

Sipas mediave amerikane, përfshirë Forbes dhe People, Bezos dhe Sánchez janë fotografuar duke zbritur nga një taksi uji përpara se të hyjnë në hotelin luksoz “Aman”, vendi ku do të qëndrojnë gjatë këtyre ditëve të ngarkuara me aktivitete.

Yjet e botës së famës, në Venecia për çiftin miliarder

Mes të ftuarve që kanë konfirmuar praninë e tyre janë figura të njohura të biznesit, politikës dhe showbiz-it si:

Barry Diller, miliarder dhe themelues i konglomeratit mediatik IAC

Ivanka Trump dhe Jared Kushner

Corey Gamble, partneri i Kris Jenner

Michael Kives, investitor dhe mik i shumë yjeve të Hollywood-it

Spencer Antle, stilist dhe sipërmarrës në industrinë e pijes

Miguel Bezos, babai adoptiv i Jeff Bezos

Prania e shumë figurave të njohura ka ndezur edhe më shumë kuriozitetin për listën e ftuarve, e cila thuhet të jetë rreth 200 persona. Sipas TMZ, të ftuar të tjerë që pritet të marrin pjesë janë Oprah Winfrey, Katy Perry, Kim Kardashian, Karlie Kloss, Tony Gonzalez (ish-partner i Sánchez dhe baba i njërit prej fëmijëve të saj), dhe Gayle King.

Kontestime nga vendasit dhe masa të rrepta sigurie

Ndërkohë që përgatitjet janë në kulm, dasma ka shkaktuar edhe pakënaqësi mes banorëve vendas. Protesta janë mbajtur në Venecia kundër dasmës së miliarderit, për shkak të ndikimit që prania e tij dhe eventi pritet të ketë mbi qytetin tashmë të ngarkuar nga turizmi masiv. Për shkak të këtyre reagimeve, një nga festat paraprake është zhvendosur në një zonë më të izoluar të qytetit, sipas Reuters.

Dasma përfshin disa festa me temë, përfshirë një “party me pizhamë”, dhe zhvillohet në një sërë vendesh luksoze që janë rezervuar për të siguruar fleksibilitet ndaj kushteve të motit apo ndonjë proteste të paparashikuar.

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez, të njohur për lidhjen e tyre publike dhe prezencën në evente të rangut të lartë, pritet të kurorëzohen në një ceremoni që do të mbetet gjatë në memorien e botës së VIP-ave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu