Debate të forta janë zhvilluar në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën lidhur me ndryshimet në ligjin “për portet turistike”, që pritet të votohen në Kuvend, me synim lehtësimin e procedurave për projektin turistik në ishullin e Sazanit.

Përplasja u regjistrua mes kryetares së komisionit, Ina Zhupa dhe deputetes së PS-së, Zamira Sinaj, e cila është edhe iniciuese e ndryshimit ligjor. Sinaj argumentoi se ndryshimi është i nevojshëm për të shmangur pengesat burokratike dhe për të garantuar vijimin e investimit strategjik në Sazan.

Sipas saj, kompania e përfaqësuar nga Jared Kushner ka shprehur shqetësim pranë Komitetit të Investimeve Strategjike dhe ekziston rreziku që investitori të tërhiqet nëse nuk bëhen ndërhyrjet e nevojshme ligjore.

Nga ana tjetër, Zhupa kërkoi transparencë dhe shembuj konkretë për problematika të ngjashme, duke vënë në pikëpyetje nëse ndryshimi po bëhet posaçërisht për këtë projekt.

Ndryshimi i propozuar parashikon që investitorët strategjikë që zhvillojnë resorte turistike me marina të përfshira në projekt, të përfitojnë pa garë edhe koncesionin për ndërtimin dhe operimin e portit turistik, ndryshe nga ligji aktual që kërkon procedurë të veçantë aplikimi.

Kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, e lidhur me Kushner, ka marrë statusin e investitorit strategjik në dhjetor 2024 për një projekt turistik në ishullin e Sazanit me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë se projekti mbetet në fokus të debatit politik dhe institucional.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu