Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump foli për resortet që do të ndërtojë në Sazan, përmes një videomesazhi në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Tiranë.

Kushner tha se ajo çfarë e bën të veçantë zonën ku do ndërtohet resorti është pikërisht natyra. Dhe për këtë arsye, Jared Kushner thotë se kanë angazhuar inxhinierët më të mirë në Europë për programet e duhura për ruajtjen e mjedisit.

Dhëndri i Trump shton më tej se bukuria natyrore është e jashtëzakonshme dhe se vendndodhja është mrekullueshme pikërisht në zemër të Mesdheut. Kushner thekson se projekti ka përqafuar ambientin lokal dhe se do të realizojnë diçka spektakolare.

Jared Kushner: Jam xheloz që jeni në Shqipëri sot, është një vend i bukur. Kam qenë me pushime kur lamë qeverinë në verën e vitin 2021, ishim në anijen e një shoku, para Korfuzit kaluam disa ditë në Shqipëri. Në një nga netët, kryeministri Rama erdhi te anija. Nuk e kisha takuar kur ishim në qeveri, por u impresionova me vizionin se çfarë donte të bënte ai për Shqipërinë.

Unë nuk dija asnjë gjë për vendin, nuk e dija as historinë e të shkuarës së errët të komunizmit që e kishte lënë plotësisht të pazhvilluar si shtet.

Një nga gjërat që më tërhoqi ishte se ai (Rama) është një politikan me shumë aftësi, një lider i fuqishëm dhe i zgjuar, por edhe një artist. U intrigova nga kjo dhe para së të shkoja në Korfuz, vizituam Butrintin që ishte një sit spektakolar. Vendi kishte një natyrë të bukur, por dukej sikur ishte një vend që askush nuk e dinte dhe nuk e kuptonte. U mendova për një vit dhe një vit më vonë fillova të shikoja mundësitë për investime në Ballkan dhe ortaku më tha ‘hajde ikim në Shqipëri, të shohim çfarë mund të bëjmë’. Vendi po ndërton një aeroport në bregdetin që ata mendojnë se është më i bukuri. Kështu që shkuam atje dhe pamë për mundësi për të ndërtuar diçka që do të jetë unike në botë.

Shpenzuam një vit duke studiuar tregun, demografinë, a është një vend i pastër, a do të bëjë qeveria atë që premton. Sa më shumë që stadium tregun aq më shumë u dashuruam me atë që do të krijonim dhe kuptuam që mjedisi ishte perfekt.

Pyetje: Na trego më shumë për këtë projekt, që ndodhet ndoshta në një nga zonat më të bukura të vendit, por edhe të Mesdheut. Mund të na tregoni më shumë për projektin dhe si planifikoni të ruani mjedisin natyror përmes procesit të zhvillimit?
Kushner: Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Prandaj kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Europë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi që do të bëjmë atje nuk do të jetë i veçantë. Duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Ka madje një histori që thotë se po pengonim një deltë lumi, por ajo ishte shumë milje larg dhe nuk kishte lidhje me projektin tonë. Mendoj se kemi arritur të bindim njerëzit për këtë. Kur të publikojmë planet, do të shihet si kemi përqafuar ambientin lokal dhe jemi përpjekur të bëjmë diçka që ruan gjithçka.

Por gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen – 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuz – dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut. Por, për shkak të historisë së keqe të vendit deri në vitet ’90, Shqipëria mbeti e pazhvilluar. Dhe nuk të jepet shpesh mundësia të ndërtosh diçka të re në Mesdhe, ku gjithçka është zhvilluar dhe mbirregulluar, ku asgjë nuk mund të ndërtohet më. Kështu që të gjitha këto po bashkohen, dhe mendoj se kjo ka shumë kuptim.

Kemi investuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar përpara këtë projekt dhe mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka spektakolare”.

Pyetje: Kur e nisët “Affinity Partners”, nuk mendoj se pasuritë e paluajtshme ishin pjesë e strategjisë tuaj. Si ndodhi që vendosët të bëni këtë ndryshim? Na tregoni edhe për investime të tjera që po konsideroni në Europë. Çfarë mundësish shihni në këtë pjesë të botës?
Jared Kushner: Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Në Nju Jork, isha në SoHo para se të bëhej shumë i njohur. Në Brooklyn para se të bëhej trend. Dhe në Jersey City para se të bëhej interesant. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë – themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin. Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë.

Pyetje: A ka ndryshuar strategjia juaj e investimeve që kur vjehrri juaj, Presidenti Trump, mori detyrën? Dhe nëse po, si dhe çfarë shihni në strategjinë tuaj për tregje të tjera të hapura?
Jared Kushner: Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme gabimisht. Po shoh diçka edhe nga një interes personal. Nuk e di nëse do të kualifikohet për fondin, por kam ndihmuar shumë Steven për të promovuar Marrëveshjet e Abrahamit – për të siguruar që ekzistueset të funksionojnë dhe për të gjetur mundësi të reja.

(BalkanWeb)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu