Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka shkarkuar nënkryetaren Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi.

2 vendimet e firmosura nga Ristani mbajnë datën e një ditë më parë, 20 Mars. Kujtojmë se nga qelia, Erion Veliaj firmosi urdhrin që mban datën 18 Mars për t’i deleguar kompetencat e drejtimit të bashkisë së Tiranës nënkryetares tjetër Sara Goxhaj. Kompetenca që vetë ai me një urdhër të datës 14 Shkurt të firmosur po nga qelia ia kishte deleguar Anuela Ristanit. Por ky urdhër duket se nuk u mirëprit nga kryeministri Rama që mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar dhe një mbledhje me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës ku mësohet se e ka shprehur mospëlqimin e tij për këtë urdhër të Veliajt, duke njohur Ristanin për drejtuesen në detyrë të këtij institucioni.

Situata dukej shumë e ndërlikuar gjatë 8 orëve të punës për të gjithë stafin e bashkisë këtë të Enjte, pasi të pyetur askush nuk dinte të përgjigjej se cila prej dy nënkryetareve drejtonte de facto pasi ende s’është firmosur asnjë shkresë zyrtare. Gjithsesi Veliaj e ka zgjidhur këtë dilemë me një status të publikuar në orët e pasdites ku shpjegon se ka qenë e gjitha një keqkuptim mbi të cilin ai dhe ka firmosur urdhrin e tij të datës 18. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.

Ndërkohë në një konferencë, Anuela Ristani është shprehur se nuk ka asnjë krizë në Bashkinë e Tiranës.

“Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj. Ne nuk do të ndalojmë së punuari për qytetin e së ardhmes, për fëmijët tanë, për një Tiranë që nesër do të na bëjë krenarë përpara tyre. Këtë e kemi për detyrë – ndaj qytetit, ndaj çdo qytetari të Tiranës”, u shpreh ajo./klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu