Izraeli ka urdhëruar të gjithë banorët e qytetit të Gazës të largohen menjëherë, duke paralajmëruar se forcat e tij do të ndërmarrin një operacion të madh ushtarak në këtë zonë.

Nëpërmjet një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, u bëri thirrje të gjithë banorëve të qytetit të lëvizin drejt zonës humanitare të al-Mawasi në jug, duke e quajtur qëndrimin në qytet “jashtëzakonisht të rrezikshëm”.

Ky urdhër vjen pas vendimit të kabinetit të sigurisë së Izraelit muajin e kaluar për të marrë kontrollin e qytetit më të madh të Gazës, ku jetojnë qindra mijëra njerëz.

Sipas raportimeve nga BBC, forcat izraelite kanë intensifikuar bombardimet gjatë natës, duke shkatërruar më shumë se 50 ndërtesa në ditët e fundit. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ky është vetëm “fillimi i një operacioni intensiv” që do të përfshijë edhe një ofensivë tokësore.

Megjithatë, OKB ka paralajmëruar për pasoja të rënda humanitare. Ajith Sunghay nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut tha për BBC se “në Gaza po shkatërrohet gjithçka që është e nevojshme për mbijetesën e civilëve”, duke përfshirë rezervuarë uji, rrugë dhe infrastrukturë jetike.

Ai theksoi se edhe pse Izraeli po e quan al-Mawasi një zonë të sigurt, “nuk ka asnjë vend në Gaza që mund të konsiderohet vërtet i sigurt”.

Qyteti i Gazës prej javësh është përballur me urinë dhe mungesë të theksuar ushqimi. Sipas të dhënave të Integrated Food Security Phase Classification (IPC), gjysmë milioni njerëz në këtë zonë po vuajnë nga uria ekstreme, ndërsa 399 persona – përfshirë 140 fëmijë – kanë humbur jetën nga kequshqyerja vetëm gjatë konfliktit.

Pamjet nga terreni tregojnë dhjetëra lagje të shkatërruara plotësisht dhe kampet me tenda të refugjatëve të goditura nga bombardimet e fundit, duke detyruar familjet të lëvizin sërish në kërkim të strehimit.

OKB dhe organizatat ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë situatë si një nga krizatat humanitare më të rënda të dekadës së fundit, duke paralajmëruar se evakuimi i menjëhershëm i qindra mijëra civilëve do të jetë pothuajse i pamundur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu