Ushtria izralite tha të shtunën se kishte përfunduar sulmet ndaj objektivave të përcaktuar të ushtrisë iraniane duke shtuar se avionët e saj ishin rikthyer në Izrael. Ushtria njoftoi më herët se kishte nisur sulme ajrore me “saktësi të lartë ndaj objektivave ushtarake në Iran”, ndërsa mediat iraniane raportuan se ishin dëgjuar një sërë shpërthimesh në kryeqytetin e vendit, Teheran, si edhe në qytetin pranë tij Karaj, të shtunën herët.
View this post on Instagram
“Regjimi në Iran dhe grupet e lidhura me të në rajon kanë sulmuar intensivisht Izraelin që nga 7 tetori, në disa fronte, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta nga toka iraniane”, thuhej në një deklaratë të ushtrisë izraelite. “Ashtu si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtën dhe detyrën të përgjigjet”.
Sulmi ndodhi ndërsa Sekretari amerikan Shtetit, Antony Blinken arriti në Shtetet e Bashkuara pas një turneu në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Sean Savett i tha Zërit të Amerikës se “Uashingtoni është në dijeni se Izraeli po kryen sulme të sakta ajrore ndaj objektivave të caktuara ushtarake në Iran në ushtrim të së drejtës për t’u vetë-mbrojtur dhe në përgjigje të sulmit të Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit, në 1 tetor”. Presidenti Joe Biden dhe Nën Presidentja Kamala Harris u informuan mbi operacionin e Izraelit, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten. Ata po ndjekin nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojnë të informohen, raportojnë mediat. Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se Izraeli i kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara para se të niste sulmin ndaj Iranit. “U njoftuam paraprakisht mbi atë që do të ndodhte”, tha zyrtari , duke theksuar se “ne nuk ishim të përfshirë”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun izraelit Yoav Gallant, tha një zyrtar amerikan i Mbrojtjes për agjencinë Reuters, pa dhënë më shumë informacion mbi përmbajtjen e bisedës, apo kohën se kur u zhvillua.
Media shtetërore iraniane nuk dha hollësi se ku kishin ndodhur shpërthimet. Ajo përcolli pamje nga aeroporti i Teheranit dhe nga një treg fruta perimesh në qytet, që tregonin normalitet. Media izraelite raportoi se qeveria izraelite e kishte marrë të premten në mbrëmje vendimin për të sulmuar Iranin.
Izraeli tha se kryeministri Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant po e ndiqnin operacionin nga afër. Izraeli ishte zotuar se do të godiste Iranin pas sulmit me raketa balistike nga Teherani në 1 tetor. Pas atij sulmi, kryeministri Netanyahu tha se udhëheqësit iranianë bënë “një gabim të madh” dhe paralajmëroi se “do ta paguanin”. Sulmi i Iranit në tetor përfshiu rreth 200 raketa balistike dhe ishte sulmi më i madh i drejtpërdrejtë ndaj Izraelit nga territori iranian. Ai ishte sulmi i dytë i drejtpërdrejtë ndaj Izraelit në gjashtë muaj; Irani lëshoi raketa dhe dronë në prill në përgjigje të një sulmi izraelit në një bazë diplomatike iraniane në Siri. Në të dyja sulmet, sistemet e mbrojtjes izraelite, të mbështetura nga forcat amerikane, interceptuan shumicën e raketave, duke shmangur dëme të mëdha. Agjencia iraninane gjysmë zyrtare e lajmeve Fars tha se disa baza ushtarake në perëndim dhe jugperëndim të Teheranit kishin qenë objektiva të sulmeve izraelite.
Sulmet izraelite godasin objektiva ushtarake në Siri
Sulmet ajrore izraelite goditën disa objektiva ushtarake në pjesën qendrore dhe jugore të Sirisë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve siriane, SANA. Forcat e mbrojtjes ajrore të Sirisë interceptuan raketa të lëshuara nga Izraeli dhe rrëzuan disa prej tyre, njoftoi agjencia. Më herët të shtunën, kjo agjenci raportoi për shpërthime në afërsi të kryeqytetit Damask. Prej vitesh, Izraeli ka kryer sulme kundër objektivave të lidhura me Iranin në Siri, por i ka shtuar sulme të tilla që pas sulmi të 7 tetorit nga grupi i Hamasit në territorin izraelit. Izraeli nuk ka konfirmuar sulmet në Siri. Agjencia iraniane gjysmë zyrtare e lajmeve duke cituar burime tha se Irani ishte i përgatitur për t’iu përgjigjur atij që e cilësohej “agresion” izraelit. “Nuk ka dyshime se Izraeli do të përballet me reagim propocional për çdo veprim që ndërmerr”, citoi agjencia të jetë shprehur burimi i saj./VOA