Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të martë një rezolutë që e shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, një vendim që ka marrë menjëherë reagim nga Izraeli.

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar, e cilësoi këtë akt si një “rezolutë historike”, duke përgëzuar Shqipërinë për qëndrimin e saj.

“Përgëzoj Kryeministrin Edi Rama dhe Parlamentin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, e cila shpall Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Kjo është një tjetër demonstrim i qartë i dimensionit moral në politikën e jashtme të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e tij.

Rezoluta u miratua me 79 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe me një abstenim nga deputeti Redi Muçi, ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë për shkak të bojkotit.

Gjatë debatit në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se terrorizmi nuk është vetëm një akt dhune, por një strategji që synon të minojë rendin demokratik.

Ai theksoi se Shqipëria qëndron e palëkundur në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të shtetit të së drejtës, duke përmendur edhe sulmin kibernetik ndaj institucioneve shqiptare si një akt armiqësor.

Në fjalën e tij, Balla kërkoi gjithashtu që të shpallet organizatë terroriste edhe Garda Revolucionare e Iranit.

Seanca plenare për miratimin e rezolutës zgjati rreth 22 minuta dhe u mbyll menjëherë pas votimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu