Administrata e Presidentit Biden beson se ka marrë garanci nga Izraeli se nuk do të godasë objektet bërthamore iraniane apo të naftës, ndërsa ka në plan të kundërpërgjigjet pas sulmit iranian me raketa në fillim të muajit, thanë të martën dy zyrtarë amerikanë.

Qeveria amerikane beson gjithashtu se dërgimi në Izrael i një sistemi të mbrojtjes ajrore dhe rreth 100 ushtarëve për ta operuar atë, ka lehtësuar disa nga shqetësimet izraelite lidhur me një kundërpërgjigje të mundshme nga Irani si dhe çështje të tjera të sigurisë.

yacht hotel sarande

Pentagoni njoftoi të dielën vendosjen e sistemit THAAD për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes ajrore të Izraelit pas sulmeve të Iranit kundër Izraelit me raketa balistike në prill dhe tetor, duke thënë se autorizimi kishte ardhur nga Presidenti Joe Biden.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë të cilët folën në kushte anonime, paralajmëruan se garancitë e Izraelit nuk janë të hekurta dhe se rrethanat mund të ndryshojnë.

Zyrtarët vunë në dukje gjithashtu se Izraeli në të kaluarën nuk i ka përmbushur gjithmonë të gjitha premtimet, duke ndjekur politikën e brendshme izraelite që ka rënë ndesh me pritshmërinë e Uashingtonit.

Rasti më i fundit ishte muaji i kaluar, kur zyrtarëve amerikanë iu tha nga homologët izraelitë se Kryeministri Benjamin Netanyahu do të mirëpriste një nismë amerikano-franceze për një armëpushim të përkohshëm në Liban. Por Izraeli ndërmori një sulm ajror masiv duke eliminuar shefin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dy ditë më vonë.

Zyra e Kryeministrit Netanyahu tha përmes një deklaratë se: “Ne i dëgjojmë opinionet e Shteteve të Bashkuara, por përfundimisht do t’i marrim vendimet bazuar në interesat tona kombëtare”.

Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken i paralajmëruan homologët e tyre izraelitë në një letër të dielën se Izraeli duhet të rrisë sasinë e ndihmave humanitare që lejohen të futen në Gazë brenda 30 ditëve të ardhshme ose Izraeli mund të rrezikojë furnizimin me armë amerikane.

Izraelit pritet të godasë Iranin pasi Teherani sulmoi Izraelin me rreth 180 raketa balistike më 1 tetor. Shtetet e Bashkuara e ndihmuan ushtrinë izraelite që të eliminonte morinë e raketave iraniane.

Sulmet hakmarrëse dhe pasiguria nëse Izraeli mund të godasë objektiva të rëndësishme strategjike iraniane, si rezervat e naftës apo objektet bërthamore, kanë shtuar frikën për një luftë rajonale.

Ofensiva izraelite kundër militantëve të Hamasit në Gazë, që mbështeten nga Irani, është zgjeruar me ndërhyrjen tokësore në Liban kundër Hezbollahut, një tjetër vegël e përdorur nga Irani. Militantët e Hezbollahut kanë goditur Izraelin që nga fillimi i konfliktit në Gazë tetorin e kaluar, duke u solidarizuar me Hamasin.

Presidenti Biden ka thënë se nuk mbështet goditjen e objekteve bërthamore iraniane apo të naftës, duke i kërkuar Izraelit që të shqyrtojë objektiva të tjera. Goditja e sektorit të naftës iraniane mund të ndikojë në tregun botëror të energjisë dhe të rrisë çmimet e naftës në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Presidenti Biden foli në telefon javën e kaluar me Kryeministrin Netanyahu për herë të parë në shtatë javë. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të konfirmojë se zoti Netanyahu i ofroi Presidentit Biden ndonjë garanci për objektivat./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu