
Të paktën 15 persona, në mesin e tyre katër gazetarë, kanë mbetur të vdekur pasi një sulm izraelit goditi katin e katër të spitalit kryesor në jug të Gazës të hënën, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e territorit.
Viktimat në katin e katërt të Spitalit Nasser u vranë nga një sulm i dyfishtë pasi raketat goditën dy herë teksa mbërritën ekipet e shpëtimit, sipas ministrisë.
Kameramani Hussam al-Masri, një kontraktor i Reuters, është vrarë në sulmin e parë, sipas zyrtarëve.
Fotografi Hatem Khaled, i cili ishte gjithashtu një kontraktor i Reuters, është plagosur në një sulm të dytë, thanë zyrtarët.
Në mesin e gazetarëve të vrarë është edhe një që punonte për Associated Press.
Dëshmitarët kanë thënë se sulmi i dytë ka ndodhur pasi punonjësit e shpëtimit, gazetarët dhe njerëz të tjerë kishin nxituar në vendin e sulmit fillestar.
Transmetimi i drejtpërdrejtë i videos së Reuters nga spitali, i cili drejtohej nga Masri, është mbyllur papritur në momentin e sulmit fillestar, treguan pamjet e Reuters.
Zyrtarët e shëndetësisë në Gazë i identifikuan tre gazetarët e tjerë si Mariam Abu Dagga, Mohammed Salama dhe Moaz Abu Taha. Një punonjës shpëtimi ishte gjithashtu midis të vrarëve, shtuan ata.
Spitali Nasser i Khan Younis, më i madhi në jug të Gazës, i ka përballuar sulmet dhe bombardimet gjatë 22 muajve të luftës, teksa zyrtarët thonë se ai përballet me mungesa kritike të furnizimeve dhe stafit.
Sulmet izraelite ndaj spitaleve nuk janë të rralla. Spitale të shumta janë goditur në të gjithë Rripin e Gazës, teksa Izraeli pretendon se sulmet e tij kishin në shënjestër militantët që vepronin brenda objekteve mjekësore, pa ofruar prova.
Një sulm në qershor ndaj Spitalit Nasser la të vdekur tre persona dhe të plagosur dhjetë të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë.
Në atë kohë, ushtria izraelite ka thënë se kishte në shënjestër militantët e Hamasit që vepronin nga një qendër komande dhe kontrolli brenda spitalit./Koha net