
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka mbërritur këtë të martë në Vlorë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Ivanka Trump dhe një delegacion i posaçëm.
Vizita e Kushner është fokusuar në zonën e Ujit të Ftohtë, ku ai pritet të zhvillojë takime me një studio arkitekturore, në kuadër të diskutimeve për projektin e zhvillimit dhe investimit në Ishullin e Sazanit.
Burime bëjnë me dije se interesimi i Kushner shtrihet jo vetëm në Sazan, por edhe në zonën e Zvërnecit, dy nga hapësirat më të diskutuara vitet e fundit për investime strategjike dhe projekte turistike me impakt të lartë.
Mbërritja e dhëndrit të Trump në qytetin bregdetar është shoqëruar me masa të forta sigurie, ndërsa prania e Ivanka Trump ka tërhequr vëmendje të veçantë.
Kompania e Jared Kushner ka përfituar më herët statusin “Investim/Investitor Strategjik me procedurë të veçantë”, duke e cilësuar projektin si “të një rëndësie strategjike për vendin”. Sipas vendimit zyrtar, ky status jepet për një periudhë 10-vjeçare, por mbetet i kushtëzuar nga realizimi i detyrave, zbatimi i planit të veprimit dhe finalizimi i marrëveshjes së bashkëpunimit, e cila duhet të miratohet me ligj të posaçëm në Kuvend.



