Babai i kandidates së PSD në Fier Limonera Bozha është ndaluar nga policia mbrëmjen e djeshme me dyshimin se ka blerë vota.

“Si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK, dokumentohet një rast i blerjes së votave. Vihet në pranga autori.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik”, njoftoi policia zyrtarisht ditën e sotme.

 

Kandidatja Limonera Bozha në një deklaratë për gazetarin e Vizion Plus Ervin Sina, i cili gjatë maratonës zgjedhore në Vizion Plus nën drejtimin e Pranvera Borakajt, ka raportuar nga Fieri, tha se akuzat ndaj babait të saj nuk janë të vërteta. Zonja Bozha thekson se fushata eleektorale ka qenë e ndershme dhe brenda ligjit.

Limonera Bozha: Akuza korrupsion aktiv nuk është e vërtetë. Nuk kemi blerë vota për askënd dhe nuk blejmë vota as për veten tonë. Jam kandidate e PSD. Përgënjeshtroj akuzat ndaj babait tim, kemi bërë një fushatë shumë të qetë, të ndershme, brenda ligjit dhe nuk kemi asgjë për t’u fshehur. Është një formë presioni ndaj meje dhe familjes time, që është e përsëritur disa herë që nga shpallja e listave më 12 mars. Shpresoj që drejtësia të jetë e pavarur dhe të bëjë punën. Nuk më lejohet që të komunikoj me babanë tim. Kam qenë gjithë natën në komisariat dhe nuk më jep njeri informacione mbi situatën.

Më tej, zonja Bozha thotë se pas shoqërimit nga policia, babai i saj ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është dërguar në spital. Aty e ka marrë vesh edhe lajmin se familjarët e saj ishin shoqëruar nga policia.

Limonera Bozha: Familjarët e mi kishin ndalë për të pirë kafe dhe janë ndaluar shumë afër shtëpisë. Babai ka pasur probleme me shëndetin dhe është shoqëruar nga policia në urgjencën e Fierit, unë aty e kam marrë vesh sepse nuk e dija që familjarët e mi ishin në komisariat. Kam shkuar në spital dhe aty e kam marrë vesh. Më vjen keq që jemi në këto kushte, në 2025 të ndodhin gjëra të tilla. Është e papranueshme.

Pyetje: A është kjo e gjitha një luftë politike?

Limonera Bozha: Tani jam e bindur që kjo është një luftë politike. Kam përfaqësuar veten familjen dhe Shqipërinë në gara ndërkombëtare. Kam punuar për të bërë më të mirën për njerëzit. Kam përfaqësuar prej 3 mandatesh në këshillin bashkiak qytetarët e mi. Dëshira ime ka qenë gjithmonë që të bëj më shumë për njerëzit e mi. Por mesa shoh potencialet goditen nuk duan njerëz të punës dhe të ndershëm. Unë nuk mund ta fal një gjë të tillë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu