Një përplasje e fortë diplomatike është hapur mes Italisë dhe Zvicrës pas vendimit të autoriteteve zvicerane për të liruar Jacques Moretti-n, pronarin e objektit “Constellation”, ku gjatë natës së Vitit të Ri humbën jetën 40 persona, mes tyre edhe 6 shtetas italianë, ndërsa 116 të tjerë mbetën të plagosur.

Qeveria italiane ka vendosur të tërheqë ambasadorin e saj në Bernë, Gian Lorenzo Cornado, për konsultime, me qëllim përcaktimin e hapave të mëtejshëm diplomatikë. Vendimi u mor nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani, të cilët e cilësuan lirimin e Moretti-t si një akt të papranueshëm dhe fyes për familjarët e viktimave.

Në një reagim zyrtar, Palazzo Chigi thekson se lirimi i Moretti-t ka ndodhur pavarësisht “rrezikut të lartë të arratisjes, mundësisë së prishjes së provave dhe peshës së rëndë të akuzave”. Sipas qeverisë italiane, ky vendim përbën një plagë të re për familjet e viktimave dhe për të plagosurit që vijojnë të marrin trajtim mjekësor.

Ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi se lirimi me një garanci prej 200 mijë frangash zvicerane është “i papranueshëm” dhe ngriti dyshime serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet hetimi, duke folur për “boshllëqe të mëdha në procedurë”. Ai kërkoi gjithashtu sqarime se kush e ka paguar garancinë financiare për lirimin e Moretti-t dhe njoftoi se qeveria po shqyrton mundësinë për t’u përfshirë si palë civile në proces.

Nga ana e saj, Zvicra reagoi duke theksuar parimin e ndarjes së pushteteve. Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, deklaroi se politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e drejtësisë, ndërsa ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, u shpreh se edhe Zvicra ndan dhimbjen për viktimat dhe se kërkon transparencë të plotë në hetim.

Edhe prokurorja e përgjithshme e Kantonit të Valais-it, Béatrice Pilloud, sqaroi se lirimi i Moretti-t nuk ka qenë vendim i saj, por i Gjykatës së Masave Shtrënguese, duke refuzuar çdo formë presioni politik.

Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi vendimin e lirimit si “një ofendim ndaj kujtimit të viktimave” dhe bëri të ditur se Italia do të kërkojë llogari zyrtarisht nga autoritetet zvicerane për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu