Italia ka konfirmuar mbështetjen e saj të plotë për integrimin europian të Shqipërisë. Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, gjatë ministerialit të Korridorit VIII të zhvilluar në Tiranë, e cilësoi vendin tonë “pjesë të natyrshme të Europës” dhe premtoi angazhim maksimal për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Sipas Tajanit, Korridori VIII nuk është thjesht një projekt infrastrukture, por një vendim me peshë politike që lidhet drejtpërdrejt me strategjinë italiane për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Për italianët, Korridori VIII nuk është vetëm një zgjedhje teknike, por politike. Ai është pjesë e strategjisë sonë për bashkimin e Ballkanit dhe një përparësi strategjike për qeverinë italiane. Do të bëjmë maksimumin për t’ju ndihmuar të bëheni pjesë e BE-së”, deklaroi Tajani.

Kryediplomati italian bëri të ditur gjithashtu se më 30 mars do të mblidhet një grup i vendeve mike të Ballkanit për të riafirmuar mbështetjen ndaj rajonit, ndërsa deklarata e përbashkët pritet të përcjellë një mesazh të fortë për realizimin e projektit.

Ai theksoi se Korridori VIII është thelbësor për ekonomitë e vendeve të përfshira, sidomos për tregtinë. “Për Italinë, tregtia përbën rreth 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Objektivi ynë është rritja e eksporteve dhe do të punojmë fort për këtë. Potenciali ekonomik mes Adriatikut dhe Ballkanit është i jashtëzakonshëm”, u shpreh Tajani.

Në planin e sigurisë, përfundimi i korridorit u konsiderua një objektiv kyç edhe për forcimin e shtyllës europiane të NATO-s. “Nëse duam të jemi më të rëndësishëm dhe të flasim me amerikanët në të njëjtin nivel, duhet të forcojmë shtyllën europiane të Aleancës”, shtoi ai.

Mesazhi nga Tirana vjen në një moment kur projektet e mëdha infrastrukturore dhe bashkëpunimi ekonomik po shihen gjithnjë e më shumë si motorë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu