Screenshot-et kanë vlerë ligjore dhe mund të përdoren gjatë një procesi gjyqësor, me kusht që të vërtetohet autenticiteti i tyre. Çfarë ndryshon për individët dhe bizneset?

Vendimi historik i Gjykatës së Kasacionit

Vendimi nr. 1254 i vitit 2025, i dhënë nga Gjykata e Kasacionit në Itali konsiderohet një moment historik. Ky organ gjyqësor i shkallës së fundit ka vendosur që mesazhet e shkëmbyera në WhatsApp mund të përdoren si prova dokumentare në një proces civil, me kushtin që autenticiteti i tyre të mos kundërshtohet.

Ky vendim ka ndikim edhe në kontrollet tatimore, pasi jo vetëm dokumentet e shkruara, por edhe pajisjet elektronike personale dhe të biznesit mund të inspektohen. Kjo përfshin edhe bisedat në aplikacionin e njohur të mesazheve, çka përbën një ndryshim të madh me implikime të rëndësishme për privatësinë.

Rasti gjyqësor që solli vendimin

Vendimi i Gjykatës së Kasacionit lidhet me një mosmarrëveshje mes një individi dhe një kompanie që merrej me prodhimin e dyerve dhe dritareve. Klienti kishte paguar vetëm një të tretën e shumës së rënë dakord, duke pretenduar se marrëveshja ishte respektuar. Kompania, nga ana tjetër, kërkoi pagesën e plotë.

Gjykata e Pavia-s fillimisht i dha të drejtë klientit, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme në favor të kompanisë. Megjithatë, Gjykata e Apelit në Milano ndryshoi vendimin, pasi një screenshot i një bisede në WhatsApp midis klientit dhe kompanisë konfirmonte shumën totale të faturës dhe detyrimin për të shlyer pagesën pas përfundimit të punimeve.

Kushtet për vlefshmërinë e një bisede WhatsApp si provë

Për të qenë e vlefshme si provë, një bisedë në WhatsApp duhet të plotësojë disa kushte:

Identifikimi i pajisjes – mesazhet duhet të vijnë nga një pajisje e identifikueshme dhe e lidhur me një person specifik.

Integriteti i përmbajtjes – përmbajtja e bisedës duhet të jetë e pandryshuar dhe jo e manipuluar.

Screenshot-et si prova – edhe nëse një bisedë është fshirë, një screenshot i ruajtur nga një palë tjetër mund të përdoret si provë ligjore.

Ky vendim nuk është një precedent i izoluar, por një hap i mëtejshëm në pranimin e provave digjitale nga gjykatat. Edhe pse çështja në fjalë është civile, ajo forcon parimin që bisedat në WhatsApp, nëse provohet autenticiteti i tyre, janë të vlefshme ligjërisht, madje edhe në rastet e evazionit fiskal.

Impaktet për tatimet dhe privatësinë

Tatimet tashmë përdorin të dhëna nga bankat dhe rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram për hetimet mbi evazionin. Deri tani, WhatsApp ishte një fushë gri, por ky vendim e bën atë një burim të ligjshëm informacioni.

Në vitin 2017, Gjykata Penale e Kasacionit (vendimi nr. 49016) kërkoi që të ruhej burimi origjinal digjital në raste të dyshimta, ndërsa në 2023, Sezioni Unite (vendimi nr. 11197) barazoi screenshot-et me dokumente ligjore, nëse mbështeteshin nga prova të tjera.

Vendimi i 2025-s bën një hap më tej, duke lehtësuar përdorimin e bisedave WhatsApp në hetimet tatimore, edhe pa patur përgjime të miratuara paraprakisht.

Një pikë tjetër e rëndësishme është Udhëzimi nr. 1/2018 i Policisë Financiare, i cili lejoi ekzaminimin e pajisjeve elektronike gjatë kontrolleve tatimore për të zbuluar parregullsi financiare. Risia e 2025-s është se WhatsApp legjitimohet si provë, edhe pa një urdhër të mëparshëm përgjimi.

Çfarë duhet të kenë parasysh individët dhe bizneset?

Ky vendim ka ndikime të mëdha, duke hapur debat mbi privatësinë dhe transparencën financiare:

Bisedat në WhatsApp mund të jenë prova gjyqësore, përveç rasteve kur autenticiteti i tyre kundërshtohet.

Në rast dyshimi, autoritetet tatimore duhet të provojnë integritetin dhe vërtetësinë e mesazheve.

Bizneset duhet të jenë të kujdesshme me komunikimet e tyre digjitale për të shmangur rreziqet fiskale.

Nëse një palë dërgon një screenshot ku tjetra pranon një detyrim financiar, ai mund të ketë fuqi ligjore, edhe pa një firmë manuale.

Rreziqet dhe sfidat

Përveç avantazheve për tatimet, vendimi ngre disa shqetësime:

Keqpërdorimi i screenshot-eve – ato mund të nxirren jashtë kontekstit, të interpretohen gabimisht apo edhe të falsifikohen.

Shkelja e privatësisë – WhatsApp shihet si një hapësirë personale, por tani mund të përdoret si provë nga autoritetet.

Balancimi midis të drejtës për privatësi dhe luftës kundër evazionit fiskal do të mbetet një temë e debatueshme në të ardhmen./VNA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu