Ditën e sotme ka hapur dyert ‘Art Explora’ ose e njohur ndryshe si vila 31 e ish-diktatorit Enver Hoxha. Prej më shumë se 1 viti, fondacioni francez Art Explora ka marrë në menaxhim vilën e njohur dhe për ta kthyer në një qendër vizitorësh.

Ideatori për kthimin e vilës 31 në një qendër kulturore është Frederik Jousset. Këtë e theksoi dhe kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, ku veçoi se për këtë ide ai kishte vendosur që t’i jepte sot, në këtë përurim, Yllin e Lartë të Mirënjohjes. Sipas Ramës, ky është një kontribut i veçantë dhe jo thjesht një lavdërim për faktin e gjithë simbolikës që mban ky vend.

“Nuk besoj që imagjinata e artistëve këtu mund të arrijë deri në atë pikë sa të përfytyrojnë anglezët të hapin një të këtillë në Shqipëri apo gjetkë në një vend tjetër që nuk është koloni e tyre. Nga ana tjetër, unë duhet të respektoj dhe nderoj Frederikun, që edhe sot me shumë njerëz të tjerë jo vetëm flet në frëngjisht, por duke i kushtuar një fjalim të gjatë. Një fjalim të gjatë sepse, falë imagjinatës së ambasadorit tim Dritan Tola, për të falënderuar Frederikun me yllin e lartë të mirënjohjes publike, u bë ideja ta bënim diku jashtë. Nuk e kam bërë më parë këtë dhe nuk besoj se një president francez e ka dhënë Legjionin e Nderit në kopshtin Le Tuileries. Kjo tregon se jemi një vend demokratik. Ndonjëherë ambasadorët na japin urdhra prapa kurrizit, megjithatë Frederik, e fillova duke pyetur ChatGPT për ty dhe ja çfarë mora: Babai juaj, profesor financash në shkollat e shquara, president i shkollës së muzikës. Edhe ajo mendja e hijshme dhe e bukur që është mamaja juaj Arielle, kryekonservatore dhe specialiste dizajni në qendrën Pompidou. Po të marrim parasysh njerëzit në këtë vend të veçantë, dikur vend makbethian, sot një vatër kulture shqiptare për gjithë botën. Them me vete që kënaqësia që ndjej.”-tha Rama.

Ndërsa falenderoi sipërmarrësin francez Frederik Jousset, si dhe i dhuroi ‘Yllin e Madh të Mirënjohjes së Republikës së nuk munguan batutat nga kryeministri, i cili i tha “Meqë jemi vend kontrabandistësh kjo është për t’iu treguar autoriteteve franceze që nuk është e kondrabanduar, por është origjinale”.

“Do doja të vinit këtu pranë meje për t’ju prezantuar me medaljen. Këtë merreni si bagazh të Art Explora. Meqë jemi vend kontrabandistësh kjo është për t’iu treguar autoriteteve franceze që nuk është e kontrabanduar, por është origjinale. Nuk jeni i detyruar të thoni gjë, por nëse doni të thoni gjë”-tha Rama.

Ndërsa Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se Java Europiane e vitit 2025 do të organizohet në gjysmën e dytë të muajit maj.

Në fjalën e tij në inaugurimin e Vila 31 x Art Explora, Gonzato u shpreh se:

“Sot jemi mbledhur në një vend i cili simbolizonte në të shkuarën izolimin dhe shtypjen, por sot ju e keni shndërruar këtë vend në një vend ku lulëzon liria e fjalës dhe do të ketë shkëmbime artistike dhe kulturore. Pra një shndërrim që është simbolik dhe shumë domethënës”.

Për këtë arsye, nënvizoi ai, “BE është shumë krenar që të ketë mbështetur pikërisht këtë kalim, nga historia, nga e shkuara tek e ardhmja, nga të qenit të mbyllur në të qenit të hapur, nga aspekti ideologjik, në ndërtimin e urave ndërmjet programit “Europa krijuese””.

Ambasadori u shpreh se gjatë ditëve në vijim BE do të mbështetë disa rezidenca artistike në këtë vilë dhe një simpozium.

Gonzato gjithashtu njoftoi se, nesër në Durrës nis festivali Art Explora, me 10 ditë performanca, filma e koncerte për të gjitha moshat.

“”Europa krijuese”, është nga programet, jo vetëm më të suksesshme, por fuqizon artistët, lidh institucionet kulturore dhe na ndihmon që ta tregojmë historinë e Europës në të gjithë larminë e saj. Sot Europa po ndihmon që të lidhë artistët shqiptarë me kolegët e tyre në Europë dhe të gjithë kontinentin. Ky do të thotë integrim europian nëpërmjet kulturës, kur njerëzit bashkohen me njëri-tjetrin shumë përpara se të përfundojnë negociatat për anëtarësim”, tha Gonzato.

“Arti dhe kultura nuk janë pjesë anësore e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por janë në zemër të tij, sepse artistët dhe të gjithë ata që punojnë për krijimtarinë ndihmojnë për shndërrimin e shoqërive për të arritur të bëhen shtete anëtare, duke qenë të hapur sjellin reflektimin kritik, mendimin kritik, lirinë e fjalës, inovacionin”, tha Gonzato.

Prandaj shtoi ai, “BE dhe Shqipëria po punojnë shumë me artistët dhe me institucionet kulturore. Ne dëshirojmë që të bëjmë lidhjen me krijimtarinë, por edhe me vlerat themeluese të BE-së”.

Gonzato njoftoi gjithashtu se, “Java Europiane e vitit 2025 që do të organizohet në gjysmën e dytë të muajit maj do të ofrojë mundësinë dhe hapësirën për artistët shqiptarë që të tregojnë zërat e tyre dhe të kontribuojnë në formësimin e të ardhmes, e cila do të jetë e rrënjosur në vlerat e BE-së”.Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se, Java Europiane e vitit 2025 do të organizohet në gjysmën e dytë të muajit maj.

Vila 31 x Art Explora – ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, mirëpret rezidentët e parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera duke sjellë një program kulturor të hapur për të gjithë: performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash
9-13 Prill, hyrja e lirë për të gjithë./report

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu