Ish-shefi i qarkullimit rrugor Roven Zeka është paraqitur këtë të mëkurë, më 26 nëntor në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Zeka ka qëndruar për rreth një orë në SPAK dhe më pas i është drejtuar gjykatës, ku po zhvillohet seanca paraprake nëse dosja e tij kalon ose jo për gjykim.

Zeka akuzohet për korrupsion.

Kujtojmë se e gjithë ngjarja daton më 16 prill 2025, kur në Tiranë ndodhi një aksident, në të cilën u përfshinë dy automjete. Si pasojë e këtij aksidenti, pati të lënduar, ku vetëm nga një prej makinave të pestë personat u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja, shtetasja A.V. Sipas SPAK-ut, bashkëshorti i saj, E.V., ka siguruar shumën prej 2 mijë euro, që i është dorëzuar punonjësve të policisë, të cilët kanë kërkuar këto para.

“Nga hetimet ka rezultuar se më datë 16 prill 2025, pas një aksidenti rrugor që ka ndodhur në në orën 07:30, në Tiranë, janë përfshirë dy mjete, njëri i drejtuar nga shtetasja, A.V dhe tjetri nga shtetasi A.K. Personat që ndodheshin në mjetin e drejtuar nga ky i fundit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Shtetasja A.V është shoqëruar në orën 10:00 në Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë, duke u lënë e lirë në orën 13:00. Pas kësaj, ajo është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Veprimet hetimore në lidhje me këtë rast janë kryer nga i pandehuri E.T, i cili kishte njohje të hershme me bashkëshortin e A.V, të pandehurin E.V.

I pandehuri E.T, ka kërkuar dhe ka marrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga i pandehuri, E.V shumën e parave prej dyqind mijë lekësh. I pandehuri E.T në kërkimin dhe marrjen e kësaj shumë ka vepruar në bashkëpunim me dy eprorët e tij, të pandehurit Roven Zeka dhe S.N, të cilët e kanë kërkuar dhe marrë këtë shumë parash, me qëllim mosarrestimin e shtetases A.V. B.B ka ndërhyrë tek Roven Zeka dhe e ka ndihmuar E.T me shumën prej 1000 eurosh, për t’ia kaluar të pandehurve, me qëllimin për të mos arrestuar bashkëshorten e tij.”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Roven Zeka erdhi në krye të komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë në Dhjetor të 2024, pasi më herët kishte shërbyer në qytetin e Elbasanit.

Ai ishte pjesë e trupës që ripërtëriu 48 drejtuesit e komisariateve në vend sipas modelit të emërimit me konkurrim, që u aplikua për herë të parë pas ndryshimeve ligjore dhe pas emërimit të Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit.

/tvklan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu