Adriatik Llalla, ish-prokurori i Përgjithshëm është shfaqur për herë të parë në publik që pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.
Është kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, i cili ka publikuar dy foto me ish-kryeprokurorin, teksa shfaqen duke bërë simbolin e shqiponjës në një kafe në Romë.
“Një takim pas disa vitesh me ish Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë. Mikun e familjes tonë Adriatik Llalla”, shkruan ai.
Kujtojmë që Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u arrestua në Romë në vitin 2021, ndërsa në 2023 ai fitoi azilin politik.
Në mars të 2023, avokati i tij deklaroi se klienti i tij kishte fituar të drejtën e azilit politik në Itali, por sipas SPAK, në Itali vazhdojnë procedurat e ekstradimit dhe vendimi i Gjykatës së Apelit të Romës ishte për revokimin e masës së sigurisë.
“Autoritetet italiane kanë konfirmuar se procesi gjyqësor me objekt ekstradimin e shtetasit shqiptar Adriatik Llalla është në vazhdim e sipër…,” ka thënë SPAK për BIRN.
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg për fshehje pasurie në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi Llalla u largua nga vendi drejt Italisë.
Vendimi mori formë të prerë më 22 shtator të atij viti. Llallës iu konfiskuan edhe pasuritë e dyshuara si të fshehura./Panorama