
Ish-kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, është dënuar me vdekje nga një gjykatë speciale në Dhaka për krime kundër njerëzimit, lidhur me shtypjen e përgjakshme të protestave studentore të vitit 2024 ku, sipas Kombeve të Bashkuara, humbën jetën deri në 1400 persona. Vendimi u dha në mungesë të saj, pasi Hasina vijon të jetojë në mërgim në Indi që prej rrëzimit të qeverisë së saj.
Gjyqi, i zhvilluar në mungesë shpalli fajtorë edhe ish-ministrin e Brendshëm dhe ish-shefin e policisë për lejimin e përdorimit të forcës vdekjeprurëse ndaj protestuesve dhe për mosparandalimin e mizorive të kryera nga forcat e sigurisë. Në sallë ndodhej vetëm ish-shefi i policisë, Abdullah al-Mamun, ndërsa bashkë të pandehurit Hasina dhe Asaduzzaman Khan Kamal vijojnë të fshihen. Vendimi i gjykatës, i përmbledhur në një dokument prej 453 faqesh, detajon shkallën e dhunës së përdorur gjatë shtypjes së protestave.
Sheikh Hasina i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar procesin si të motivuar politikisht. Në një komunikim me BBC ajo e quajti gjyqin një “gjyq kangur”, një proces farsë i kontrolluar nga kundërshtarët e saj. Ajo tha se situata ka dalë jashtë kontrollit, por se nuk ka dhënë urdhër për të qëlluar mbi civilë të paarmatosur.
Ky vendim e vendos Indinë përballë një presioni të madh diplomatik, pasi Dhaka ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Hasinës. Megjithatë, analistët vlerësojnë se një ekstradim është i pamundur. India ka strehuar më parë Hasinën pas vrasjes së babait të saj në vitin 1975 dhe marrëdhëniet e ngushta historike mes dy vendeve, si dhe shqetësimet për sigurinë e saj personale, e bëjnë situatën tepër të ndërlikuar. Qeveria indiane është shprehur se çështja është juridike dhe kërkon konsultime mes palëve.
Në Bangladesh, situata është tejet e tensionuar. Dhaka është mbushur me forca policie dhe ushtrie për shkak të frikës nga trazirat. Qindra protestues janë përplasur me policinë pranë rezidencës së braktisur të familjes Hasina, ndërsa janë përdorur granata shokuese për të shpërndarë turmat. Familjarët e viktimave të vitit 2024 janë mbledhur para gjykatës duke kërkuar zbatimin e menjëhershëm të dënimit.
Vendimi i sotëm shihet nga analistët si një ngjarje që do të ndikojë thellë në të ardhmen politike të Bangladeshit. Shumë qytetarë e perceptojnë si drejtësi të vonuar, ndërsa të tjerë e quajnë dënimin një proces politik të orkestruar nga kundërshtarët e saj. Në qendër të vëmendjes ndërkombëtare mbetet pyetja se çfarë qëndrimi do të marrë India, vendi ku Hasina kërkoi strehim dhe ku vijon të jetojë.







