Ish-kryeministri holandez, Mark Rutte, menjëherë u zotua për mbështetje të fuqishme për Ukrainën, pasi mori udhëheqjen e NATO-s më 1 tetor.
Marrja e detyrës së sekretarit të Përgjithshëm nga Rutte ndodhi në një moment historik për aleancën, teksa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet ditës 1.000.
Rutte, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Hoalndës, u takua me shefin në largim të aleancës, Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s në Bruksel, ku vendosën kurora lulesh për personelin e rënë të aleancës që përbëhet nga 32 anëtarë.
Ata më pas shkuan në sallën ku mbahen mbledhjet e Këshillit të Veri Atlantikut.
Stoltenberg u largua nga udhëheqja e aleancës pas një dekade.
“Nuk mund të ketë siguri afatgjate në Evropë pa një Ukrainë të fuqishme dhe të pavarur”, tha Rutte në fjalimin e tij të parë nga zyra e re, teksa përsëriti zotimin e bërë nga udhëheqësit e aleancës më 2008 se “vendi i merituar i Ukrainës është në NATO”.
“Ne duhet të sigurohemi që Ukraina të triumfojë si një shtet sovran, i pavarur dhe demokratik”, tha Rutte.
NATO me udhëheqje të re: Lidhjet e Mark Ruttes me Kosovën ndër vite
NATO-ja, e themeluar më 1949 për të penguar dhe mbrojtur nga çdo sulm anëtarët e saj në Evropën Perëndimore nga Bashkimi Sovjetik, e gjeti vetën sërish në qendër të vëmendjes për shkak të luftës së Ukrainës me Rusinë, që udhëhiqet nga presidenti autokrat, Vladimir Putin.
Rutte duket se ka raporte të ngushta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Si kryeministër i Holandës ai ndihmoi që në Ukrainë të dërgoheshin avionët luftarakë F-16, siguroi sanksione më të ashpra ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Moskës, pavarësisht varësisë holandeze në tregti me Rusinë, dhe ndihmoi që Ukraina të lëvizte drejt anëtarësimit në BE.
Por, politikani 57-vjeçar i lindur në Hagë, përballet me çështjen e ndërlikuar nëse duhet që Ukraina të marrë ftesë për t’iu bashkuar NATO-s.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se Putini e njeh mirë Rutten nga takimet e mëparshme dhe nuk pret ndryshime në politik.
“Pritjet tona janë që NATO-ja do të vazhdojë punën në drejtimin e njëjtë”, tha ai.
“Në një pikë kishte shpresë për mundësinë e ndërtimit të raporteve të mira pragmatike – të paktën, kishte një dialog për këtë – por, më pas ne e dimë që Holanda mori një pozicion për përjashtimin e çdo kontakti me shtetin tonë”, shtoi ai.
Rutte e mori drejtimin e NATO-s vetëm një muaj para se Shtetet e Bashkuara, burimi kyç i financimit të aleancës, të mbajë zgjedhjet presidenciale midis nënpresidentes demokrate, Kamala Harris, dhe ish-presidentit republikan, Donald Trump.
Ish-presidenti ka qenë kritik i NATO-s dhe nuk ka treguar nëse dëshiron që Kievi të dalë fitues në zmbrapsjen e pushtimit të nisur nga Kremlini. Harris, ndërkaq, ka mbështetur vazhdimin e dërgimit të armëve në mënyrë që Ukraina të mund të luftojë.
“I njoh të dy kandidatët shumë mirë…. Do të jem në gjendje të punoj me të dy”, tha ai.
“Kam punuar për katër vjet me Trumpin. Ai ishte që na shtyu që të shpenzonim më shumë në mbrojtje dhe ai e arriti këtë sepse ne tani kemi nivele më të larta të shpenzimeve sesa kishim para se ai të bëhej presidentin”, shtoi Rutte.
Ai tha se Harris ka një “karrierë fantastike” si nënpresidente dhe është “një udhëheqëse shumë e respektuar”./REL