Prokuroria e Tiranës ka vënë në pranga ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza, përfshirë vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës, shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës.

70-vjeçari ishte marrë i pandehur prej tetë muajsh, por vetëm tani është ekzekutuar masa e arrestit, pasi Prokuroria kërkoi ashpërsim të masës, me argumentin se ai rrezikon të dëmtojë provat apo të arratiset.

Nikoll Deda drejtonte Urdhrin e Stomatologut deri në vitin 2020, kur u pezullua nga detyra pas dyshimeve për abuzime financiare dhe krijimin e një strukture me karakter privat, në të cilën përfshiu edhe familjarë të tij.

Sipas hetimeve, të nisura pas një kallëzimi nga Almiro Gurakuqi, Deda dyshohet se ka fryrë buxhetin e institucionit për qëllime përfitimi personal. Në vitin 2020 buxheti ishte 38 milionë lekë, në 2021 u shtuan edhe 13 milionë, dhe në 2022 shifra u rrit me 125 milionë lekë të tjera.

Prokuroria thekson se, përveç shmangies nga hetimi, Deda ka lejuar punësime të pakriter, përfshirë të afërm, duke tentuar të kontrollojë vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar të Urdhrit. Arrestimi i tij pritet të pasohet nga veprime të tjera hetimore për të zbardhur të gjithë skemën e dyshuar abuzive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu