
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, është emëruar drejtoreshë e spitalit të Elbasanit, një lëvizje që sipas ish-kolegut të saj, Myslim Murrizi, shihet si një kalim i butë drejt qeverisjes së Edi Ramës.
Në një postim në rrjetet sociale, Murrizi shkruan:
“Ja dhe ish deputetja aktive e viteve 2021-2025, Zheni Gjergji e PD-së, kaloi butë butë në bashkëqeverisje me Ramën.”
Ai shton se Gjergji kishte marrë një ofertë për të kandiduar në zgjedhjet e 11 majit 2025 për Qarkun e Elbasanit, por sipas tij nuk kishte pasur “takat” financiar, dhe në ditën e fundit për dorëzimin e listave, u zëvendësua nga një tjetër kandidat.
Reagimi i Murrizit ndaj “renegatëve”
Murrizi ka ripostuar edhe një shkrim të mëparshëm ku kritikon politikanët që, sipas tij, lëvizin mes partive dhe pushtetit pa meritë:
“Nuk janë renegatë o Flamur, por janë rilindas. Renegatë janë ata që i sjellin aty pa meritë dhe duke shkelur kontributin e demokratëve.”
Ai thekson se në 35 vite historikë të PD-së, shumë politikanë janë konsideruar “renegatë”, duke kaluar në partitë rivale dhe në administratë, duke minuar kontributin e bazës demokratike.
Murrizi përfundon duke paralajmëruar:
“Lëreni renegatët, por mos urrejnë dhe mos shtyni me këmbë demokratët.”