
Biznesmeni shqiptar Irfan Hysenbelliu ka blerë për 3.5 milionë euro hotelin historik Grand Hotel Orologio në Abano Terme, një qytezë afër Padovas. Hoteli, i cili qëndronte i mbyllur për më shumë se 20 vjet tashmë do të rihapet nga biznesmeni shqiptar. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane.
“Pak ditë më parë, hoteli luksoz është blerë nga shoqëria Gran Principessa Orologio me qendër në sheshin De Gasperi në Padova. Kjo shoqëri udhëhiqet nga Irfan Hysnebelliu, bashkë me fëmijët e tij Fatmir dhe Fabiola, familja e pestë më e pasur e Shqipërisë, me një portofol prej 850 milionë dollarësh,” shkruan gazeta “Il Mattino di Padova”.

Administratori i shoqërisë së re është caktuar një shtetas italian i quajtur Luigi Callegaro. Ai ka deklaruar për mediat italiane se në zonën e hotelit nuk do të ketë projekte rezidenciale, por thjesht i gjithë plani i pronarëve të rinj konsiston në rihapjen e hotelit dhe rikthimin e shkëlqimit të tij të dikurshëm.
Por si është prezantuar biznesmeni shqiptar nga mediat italiane?
“Irfan Hysenbelliu është 66 vjeç dhe njihet ndryshe si Berlusconi i Shqipërisë. Ky krahasim nuk është i rastësishëm duke patur parasysh miqësinë që ai ka patur si me Kavalier Silvion ashtu dhe me vëllain e tij Paolo,” shkruan gazeta italiane.
Madje, sipas administratorit të caktuar nga Hysenbelliu për të drejtuar hotelin në Itali, lidhja e Hysenbelliut me Berlusconët ishte një nga arsyet kryesore të finalizimit të këtij transaksioni.
“Ka qenë pikërisht kjo lidhje, që na lejoi të hynim në kontakt me Irfanin dhe ta sillnim atë në Abano, ku u dashurua menjëherë me hotelin,” shpjegon Callegaro.

Sipas administratorit, familja Hysenbelliu do të investojë 40 milionë euro për të modernizuar hotelin e famshëm, i cili numëron 165 dhoma, 11 suita dhe 4 suita perandorake.