Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) reagoi mbrëmjen e së martës lidhur me njoftimet për gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, duke sqaruar se deri në orën 20:30 të datës 20 janar 2026, në adresë të institucionit nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në njoftimin për mediat, KLGJ thekson se sapo dokumentacioni të dorëzohet zyrtarisht, ai do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës dhe më pas do të ndiqet procedura përkatëse ligjore, në përputhje me parashikimet ligjore.

Sipas ligjit, KLGJ është institucioni kompetent për të vlerësuar nëse, pas verifikimeve të thelluara nga sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, gjyqtarja Irena Gjoka ndodhet ose jo në kushtet e ndalimit për ushtrimin e funksionit si gjyqtare e posaçme.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se, së bashku me vendimin autentik të autoriteteve greke, i ka përcjellë KLGJ-së edhe vendimin e arkivimit të çështjes për shkak të mos-ekzekutimit të dënimit. Paralelisht, SPAK ka nisur hetime në kuadër të një procedimi penal pa emër.

Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala, në një intervistë për emisionin “Studio24” në News24, deklaroi se nga hetimet e kryera nga sektori i dekriminalizimit rezulton se gjyqtarja Gjoka ka fshehur një dënim në Greqi. Sipas saj, nëse ky fakt do të ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit, nuk do të kishte penalitet ligjor, për shkak të kalimit të një periudhe mbi dydekadëshe.

Megjithatë, Lala theksoi se problemi kryesor qëndron te integriteti moral dhe rreziku i shantazhueshmërisë.

“Nëse zonja Gjoka dhe Prokuroria e Posaçme provojnë se ajo është e dënuar, nuk mund të qëndrojë në funksionin e gjyqtares në Republikën e Shqipërisë. Kjo vë në pikëpyetje procesin e vettingut. Një gjyqtar që ka probleme me ligjin është lehtësisht i shantazhueshëm nga politika apo krimi”, u shpreh Lala.

Sipas saj, rasti ngre pikëpyetje serioze mbi filtrat e procesit të vettingut, duke qenë se Gjykata e Posaçme shqyrton dosje që përfshijnë politikanë, zyrtarë të lartë dhe figura të krimit të organizuar.

Gazetarja theksoi gjithashtu se SPAK duhet të veprojë me shpejtësi për të sqaruar situatën, duke shtuar se edhe gjyqtarja Gjoka duhet të ketë mundësinë të japë versionin e saj.

“Zonja Gjoka duhet të dëgjohet dhe më pas të ketë një vendim të drejtë, por moralisht mendoj se ajo nuk mund ta ushtrojë më profesionin e gjyqtares”, deklaroi Lala.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu