
Tensioni mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në një fazë dramatike, pasi një breshëri raketash iraniane ka goditur drejtpërdrejt spitalin “Soroka” në Beersheba, në jug të Izraelit. Ministria e Jashtme izraelite e cilësoi goditjen si një “krim të qëllimshëm”, ndërsa zëvendësministrja Sharren Haskel theksoi se spitali nuk ka asnjë karakter ushtarak dhe është qendra kryesore mjekësore për rajonin e Negevit.
Sipas shërbimit të urgjencës Magen David Adom, mbi 30 persona janë plagosur – dy në gjendje të rëndë, një burrë rreth 80 vjeç dhe një grua rreth 70 vjeç. Janë raportuar dëme të mëdha në godinën e spitalit dhe shqetësime për materiale të rrezikshme në zonë.
Ndërkohë, Izraeli ka sulmuar një zonë pranë reaktorit bërthamor me ujë të rëndë në Arak, që është pjesë e programit bërthamor iranian. Forcat e Mbrojtjes izraelite u kanë bërë thirrje banorëve të qyteteve Arak dhe Khondab të evakuohen menjëherë. Mediat iraniane thonë se fabrika është evakuuar para sulmit dhe nuk ka rrezik rrezatimi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar planet për një goditje ndaj Iranit, sipas CBS, edhe pse nuk ka marrë ende vendimin përfundimtar për të ndërhyrë ushtarakisht. I pyetur më herët, Trump u përgjigj:
“Mund ta bëj, mund edhe të mos e bëj.”
Irani ka paralajmëruar SHBA-në për “dëme të pariparueshme” nëse ndërhyn në konflikt.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka goditur mbi 20 objektiva ushtarake në Teheran, ndërsa shpërthime janë raportuar edhe në Tel Aviv dhe Jerusalem.