Irani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet nëse sulmohet nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa protestat në vend vijojnë pavarësisht goditjes së ashpër të forcave të sigurisë dhe bllokimit të internetit. Burime të BBC bëjnë me dije se qindra protestues dyshohet se janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur ose arrestuar gjatë dy javëve të fundit.

Sipas organizatës amerikane Human Rights Activist News Agency (HRANA), janë verifikuar 490 protestues të vrarë dhe 48 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa mbi 10.600 persona janë arrestuar. Mjekë në dy spitale kanë deklaruar për BBC se vetëm në dy ditë janë dërguar mbi 100 trupa pa jetë, duke ngritur frikën se numri real i viktimave është shumë më i lartë.

Protestat, të nxitura fillimisht nga rritja e fortë e çmimeve dhe inflacioni, janë shndërruar në thirrje të hapura për përfundimin e sundimit klerikal të Ajatollah Ali Khameneit. Autoritetet iraniane kanë reaguar ashpër: prokurori i përgjithshëm ka deklaruar se protestuesit do të konsiderohen “armiq të Zotit”, një akuzë që mund të dënohet me vdekje.

Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA “është gati të ndihmojë”, pa dhënë detaje konkrete, ndërsa media amerikane raportojnë se Shtëpia e Bardhë po shqyrton opsione që variojnë nga sanksione të reja deri te veprime ushtarake. Kryetari i Parlamentit iranian ka reaguar duke paralajmëruar se çdo sulm amerikan do ta kthente Izraelin dhe objektivat ushtarake amerikane në rajon në “shënjestra legjitime”.

Pamje të verifikuara nga BBC Verify tregojnë përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në disa qytete, përfshirë Teheranin, Mashhadin dhe Ilamin, si dhe pamje tronditëse me thasë trupash në periferi të kryeqytetit.

Qeveria iraniane ka kufizuar ashpër aksesin në internet, duke e bërë të vështirë raportimin nga brenda vendit. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International, kanë shprehur shqetësim për përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj protestuesve dhe kanë kërkuar hetime të pavarura.

Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë daljen në rrugë, pavarësisht rrezikut për jetën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu