Ndërsa tymi ngrihet ende mbi Teheranin pas sulmeve ajrore izraelite, Irani po përjeton një valë të paprecedentë arrestimesh të brendshme nën akuzat për spiunazh. Autoritetet iraniane kanë arrestuar të paktën 28 persona vetëm në kryeqytet, të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret izraelit, Mossad-in. Në një akt simbolik dhe frikësues, një prej të arrestuarve dy vite më parë për të njëjtën akuzë u ekzekutua të hënën.

Në një klimë gjithnjë e më të rënduar frike dhe dyshimi, Ministria e Inteligjencës në Teheran ka shpërndarë udhëzime publike ku qytetarët inkurajohen të raportojnë “sjellje të dyshimta”. Ndër elementët e dyshimtë përmenden individë që mbajnë “maska, syze dielli dhe kapele, madje edhe natën”, si dhe ata që marrin “paketa të shpeshta nga korrierët” apo që kanë “perdet e mbyllura gjatë ditës”.

 

Në qytetin e Isfahanit, ku pretendohet se Izraeli ka goditur një objekt bërthamor, janë arrestuar mbi 60 persona që kishin shpërndarë artikuj pro-Izraelit në rrjetet sociale. Ata akuzohen për prishje të “sigurisë psikologjike të shoqërisë”.

Ndërkohë, në një deklaratë zyrtare, kreu i policisë iraniane Ahmad-Reza Radan iu drejtua të ashtuquajturve “tradhtarë” duke u bërë thirrje që të dorëzohen për të përfituar trajtim më të lehtë: “Kush e kupton se është mashtruar nga armiku mund të nderohet nga shteti. Por kush kapet, do të mësojë çfarë dënimi po merr sot armiku sionist.”

Panikun në radhët e regjimit e ka rritur edhe publikimi i një videoje nga vetë Mossad, ku pretendohet se tregon operativë izraelitë duke futur armë në Iran dhe përgatitur një seri goditjesh të brendshme përpara sulmeve ajrore të së premtes. Zyrtarët izraelitë thonë se këto armë përfshinin dronë eksplozivë, pajisje për lëshim raketash dhe armë precize që u përdorën për të neutralizuar sistemet ajrore iraniane.

Për më tepër, televizioni shtetëror iranian publikoi pamje nga qyteti i Reyt në provincën e Teheranit, ku pretendohet se janë sekuestruar 200 kg eksplozivë, dronë vetëvrasës dhe pajisje për ndërtimin e tyre – të gjitha të dyshuara si pjesë e operacionit të Mossad.

Kjo atmosferë e rëndë frike dhe hakmarrjeje vjen në një moment kur udhëheqësit e Republikës Islamike ndihen gjithnjë e më të izoluar ndërkombëtarisht dhe të goditur brenda vendit, pas një sërë protestash popullore dhe tensioneve të brendshme politike.

Ndërkohë, gazetaria e lirë është gjithnjë e më e kufizuar: disa reporterë vendas i thanë CNN-it se u është ndaluar të fotografojnë në rrugë, dhe policia ka shpërndarë thirrje që pronarët e banesave të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo qiramarrës të ri.

Me frikën e një infiltrimi masiv, dhe ndërkohë që Izraeli pretendon se ka fituar “kontroll të plotë ajror mbi Teheranin”, regjimi iranian duket gjithnjë e më i përçarë mes goditjeve nga jashtë dhe frikës së tradhtisë nga brenda.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu