Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore po dëgjohen gjithandej Izraelit.
Ushtria izraelite njofton se banorët janë urdhëruar të shkojnë në vend-strehime apo të qëndrojnë pranë tyre.
Presidenti Joe Biden dhe Zv presidentja Kamala Harris janë në takim me ekipin e tyre të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar sulmin ajror iranian ndaj Izraelit.
Presidenti Biden shkroi në rrjetin social X se “Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të ndihmuar Izraelin për t’u mbrojtur nga këto sulme dhe për të mbrojtur personelin amerikan në rajon”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin diskutoi sot me ministrin izraelit të Mbrojtjes Gallant, para fillimit të sulmit me raketa nga Irani, rreth “pasojave të ashpra” që do të kishte Irani nëse sulmonte Izraelin.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit Pat Ryder, Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin gjatë bisedës telefonike me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të mirë gadishmërie për të mbrojtur personelin amerikan, aleatët dhe partnerët përballë kërcënimeve nga Irani dhe organizatat terroriste të mbështetura nga Irani dhe janë të vendosura që të parandalojnë ndonjë aktor që të shfrytëzojë tensionet dhe të zgjerojë konfliktin në rajon.”
Sipas radios së ushtrisë izraelite, gati 200 raketa u nisën nga Irani drejt Izraelit.
Autoritetet izraelite njoftuan ndalimin e të gjitha fluturimeve nga dhe drejt aeroporteve izraelite. Një njoftim i ngjashëm për mbylljen e hapësirës ajrore ishte bërë pak më herët edhe nga Jordania.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, dëshmitarët thanë se panë të rrëzohen mbi hapësirën ajrore të Jordanisë disa nga raketat e nisura, ndërsa dhjetëra të tjera vazhduan lëvizjen drejt Izraelit.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka lëshuar disa dhjetëra raketa drejt Izraelit dhe se sulmi do të përsëritet nëse do të ketë një kundërpërgjigje nga Izraeli.
Alarmi për një sulm iranian ndaj Izraelit u dha pak orë para se ai të fillonte nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë./VOA