Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla iu drejtua shqiptarëve të diasporës në SHBA gjatë një interviste në TV shqiptar ALBTVUSA, duke u kërkuar të regjistrohen për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhjet e 11 majit. Balla iu përgjigj pa doreza pyetjeve të drejtuesit, Gani Vila, për shumë çështje politike por dhe teknikalitete zgjedhore lidhur me regjistrimin.

yacht hotel sarande

 

“Kjo nuk është vizita ime e parë dhe e fundit këtu, por fillimi i qasjes shqiptare për një marrëdhënie më të ngushtë me diasporën. Vendi amë ka një detyrim t’i garantojë më shumë mbështetje diasporës, e njëjta që i japim atyre që jetojnë në Shqipëri,” tha Balla.

 

Ai renditi programin e qeverisë “Mësues për Diasporën”, që çdo fëmijë i lindur nga të paktën një prind shqiptar të mësojë shqip, Paketën e Maleve ku procedurat i bën shteti dhe emigranti investon. Diaspora është gjykatësi më i pakomprometueshëm dhe më objektiv.

 

“Po citoj fjalët e një bashkatdhetari që takova dje në Michigan: në sytë e mi që vij nga një familje e djathtë, ish të përndjekur, sot ajo që quhet e djathtë në Shqipëri nuk përfaqëson më të djathtën shqiptare. Shqipëria sot është me një reputacion të pakrahasueshëm me pozitivet krahasuar me vite më parë. Shqipëria shfaqet në media ndërkombëtare si CNN, Fox, BBC me reportazhe të bukurive natyrore dhe të transformimit të Shqipërisë në destinacion turistik.”

 

Balla tha se sot Tirana është një qendër e stabilitetit politik në Ballkanin Perëndimor, ku vijnë udhëheqës perëndimorë, organizon samite dhe PBB e Shqipërisë është trefishuar gjatë qeverisjes socialiste. Të gjitha këto janë fakte të pakundërshtueshme që syri i një bashkatdhetari në diasporë i sheh dhe i konfirmon si zhvillime të mëdha, tha ai.

 

Pyetjes së gazetarit të ALBTVUSA se a e ka dëmtuar ndihma financiare nga diaspora sensin e protestës sociale në Shqipëri, Balla i solli si shembull në përgjigje protestat e studentëve në vitin 2018, pas të cilave qeveria reflektoi jo vetëm sa i takon ndryshimit të përbërjes së kabinetit, por dhe vendosjes në vëmendje të sistemit universitar, ku qeveria u angazhua me një sërë investimesh dhe ndërhyrjesh normative dhe ligjore.

 

“Pakti për universitetin sot ka sjellë rezultatet e veta,” tha Balla.

 

Shqetësimit të moderatorit shqiptaro-amerikan në lidhje me pensionet në Shqipëri, Balla iu përgjigj duke i shpjeguar barrën e madhe që qeverisja socialiste ka marrë mbi vete për të ndrequr mangësi social-historike në sistemin e kontributeve shoqërore që nga koha e diktaturës.

 

“Deri në vitin 1991, vitet e punës u zeruan. Gjithë kontributet shoqërore për shkak të ekonomisë (1 dollar 70 lekë të vjetra dhe pastaj u bë 1400 lekë të vjetra) u zeruan. Tani duhet të garantojmë pensionet për ato vite dhe për ata që nuk kanë asnjë ditë të siguruar, dhe ne e paguajmë, por kjo është një barrë e madhe. Qeveria bën transfertën më të madhe të mbështetjes së skemës së pensioneve që të mbahet në këmbë. Duhet të bëjmë më shumë? Po. Kemi filluar të japim transferta direkte përmes bonuseve.”

 

Interesit të ALBTVUSA si do të jetë përfaqësimi i diasporës, Balla u tha se vota e një shqiptari që jeton jashtë vendit është e barabartë me atë që jeton në Shqipëri, jo si vende të tjera si p.sh. Italia ku emigrantët votojnë vetëm për 5 vende në parlament.

 

“Kurse diaspora jonë ka 140 vende në parlament, që do thotë zoti Gani Vila nga Korça do të votojë me fletëvotimi të qarkut Korçë dhe do votoni për partinë që mendoni (ju ftoj për Partinë Socialiste) dhe një prej kandidatëve. Do ketë përfaqësues të diasporës, po mos harroni që angazhimi punës parlamentare bën që të mos jeni më këtu, do të duhet të vish në Shqipëri. Partia Socialiste ka hapur një dritare komunikimi me diasporën për të zgjedhur personalitetet më të mira për t’i vendosur në listat tona. Kemi nga SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Italia, burra e gra, djem e vajza që do përzgjidhen për të qenë në listat tona.”

 

Balla tha se ndër gjërat që Partia Socialiste mund të bëjë më tej për diasporën është hapja e një konsullate në Michigan.

 

“Konsullatat tona duhet të jenë edhe më aktive jo vetëm për shërbime konsullore. Synimi ynë është që t’i bëjmë online, përfshi procesin e pajisjes me kartë ID dhe pasaportë.”

 

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla kërkoi që shqiptarët e SHBA të regjistrohen sa më të shumë në numër por edhe u kërkoi atyre votën për Partinë Socialiste.

 

“Sot nuk ka një dyshim se Partia Socialiste do të marrë një mandat tjetër, jo vetëm për shkak të sondazheve, por dhe matësave të tjerë sociologjikë që bëhen. Ajo që ka rëndësi është që të kemi pjesëmarrje sa më të lartë që ta përfshinim diasporën në vizionin tonë për ta parë Shqipërinë si anëtare të BE në vitin 2030. Ndjehem i motivuar në të gjitha takimet. Kam pasur mundësi të vizitoj shqiptarët në Nju Jork, Nju Xhersi, Filadelfia, Boston dhe këtu së fundmi në Detroit, për të shkuar në Toronto në fund të javës në Kanada. Konstatoj që shqiptarët e Amerikës së Veriut dinë të vlerësojnë transformimin, progresin që ka arritur Shqipëria dhe do të bëhen pjesë e rëndësishme për rezultatin historik që do marrë PS.”

 

Lidhur me ftesën e tij për takime të përbashkëta në diasporë me Partinë Demokratike, Balla dha mesazhin se forca politike që ai përfaqëson dëshiron që diaspora të jetë e bashkuar.

 

“Meraku im është që sherret e Tiranës të mos i transferojmë në diasporë. Na mjaftojnë atje. Diaspora jonë duhet të jetë e bashkuar. Në Filadelfia më ka pëlqyer shoqata “Bijtë e shqipes”. Ata ishin të gjithë të bashkuar edhe partitë i kishin lënë në shtëpi, ishin bashkuar për flamurin. Edhe ju mediat tona dhe shoqatat tona në diasporë duhet të organizojnë debate, ku të marrin pjesë si të ftuar përfaqësues të PS dhe PD apo të tjera parti. Kjo do ta normalizonte dhe qytetëronte këtë lloj fushate. Nuk gjej dot përgjigje, se përse me urdhra që vijnë nga selia e PD në Tiranë, në mitingjet elektorale dhe takime me bashkatdhetarë në diasporë duhet të penetrojnë diversantë të caktuar politikë të një partie për të bërtitur dhe për të prishur takime.”

 

Balla tha se sot shqiptarët kudo ndodhen nuk janë përballë një oferte më të mirë se ajo e Partisë Socialiste, pasi opozita është e përçarë ndërsa partitë e reja politike kanë sjellë një mendësi të vjetër.

 

“Demokracia e ka parashikuar edhe rotacionin, por nuk ka sot në Shqipëri një ofertë më të mirë se oferta qeverisëse e Partisë Socialiste. Një ekip, një udhëheqës dhe një program. PS i ka të tre këto komponentë dhe një vizion siç e kemi ne Shqipëria 2030 në BE. Pala tjetër nuk ka as ekip, mezi presin zgjedhjet që t’u kthehen sherreve të veta. Janë bërë bashkë vetëm për listën pastaj do shihni teatër, situata e janarit 2022 është vetëm faqja e parë e telenovelës. Ata nuk kanë as udhëheqës as program. Sa u përket këtyre sudeve dhe vefave e rrapushëve që kanë dalë tani si gjoja parti të reja, djem të rinj me mend të vjetra që premtojnë lloj-lloj pazari, besoj që elektorati shqiptar ka treguar ndër vite një lloj pjekurie për të mos rënë pre e individëve të caktuar që s’përmbushin asnjë kriter besueshmërie. Kur i pashë të ziheshin për një mikrofon më nxorrën mallin e atyre që u zunë për një foltore.”

 

Balla më pas sqaroi të gjitha paqartësitë lidhur me detajet teknike nga më të thjeshtat për regjistrimin në sistemin online të KQZ.