
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka kryer raportimin e tij vjetor në Komisionin e Ligjeve, ku ka bërë një pasqyrë të hollësishme të punës së institucionit për vitin 2024.
Në fjalën e tij, Dumani ka ngritur shqetësimin për presionin e jashtëm që vjen nga faktorë politikë, mediatikë dhe krimi i organizuar.
Ai kërkoi një reagim të koordinuar për mbrojtjen e institucionit dhe garantimin e pavarësisë së tij në kryerjen e hetimeve.
“Doja të veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë, dhe krimi i organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve, duke kërkuar një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, theksoi Dumani.
Një tjetër problem i theksuar në raport ishte mungesa e një përcaktimi të qartë ligjor për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, çka krijon pasiguri për vijimësinë e hetimeve të rëndësishme.
“Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, krijon pasiguri dhe mund të cenojë vijimësinë e hetimeve”, tha ai.
Ai më tej theksoi se numri i ulët i referimeve nga institucionet publike për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar mbetet një shqetësim serioz.
Na duhet portofol dixhital, nuk kemi ku të ruajmë 11 mln euro kriptomonedhat e sekuestruara! Po sekuestrojmë edhe mbi 11 milionë euro të tjera kripto
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 11 milionë euro kriptomonedha gjatë vitit 2024. Shifra është bërë e ditur nga kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në komisionin parlamentar.
Në fjalën e tij, Dumani kërkoi të merren nisma ligjore për të mundësuar një portofol dixhital për mbajtjen e kriptomonedhave të sekuestruara. Shqipëria nuk e ka aktualisht një portofol dixhital.
Dumani theksoi se për mbajtjen e 11 milionë eurove kripto, i ka ndihmuar një vend i BE-së.
Drejtuesi i SPAK bëri të ditur se aktualisht kanë një shumë mbi 11 milionë euro kriptomonedha të tjera, të cilat janë të ngrira.
“Nuk kemi një portofol për të ruajtur kriptomonedhat e sekuestruara. As Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara nuk ka portofol dixhital. Vetëm në 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro vlerë të kriptovalutave dhe kemi hasur në vështirësi. Problemin e zgjidhëm duke bashkëpunuar ngushtë me një vend të BE që na u vetëofrua, ishte një sforco shumë e madhe. Jemi në proces ngrirje të një shume më të madhe se 11 milionë euro, janë të ngrira”, u shpreh Altin Dumani.
Kemi evidentuar 16 grupet kriminale shqiptare, janë aktive në disa shtete të BE! Blejnë kokainë në Amerikën Latine, 10 prej tyre i goditëm
SPAK ka evidentuar 16 grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në disa vende të botës. Kreu i SPAK, Altin Dumani, në raportimin e tij në komisionin parlamentar për veprimtarinë e institucionit që ai drejton për vitin 2024, Dumani theksoi se kanë evidentuar 16 grupeve kriminale shqiptare të përfshirë në trafikun e kokainës dhe kanabisit.
Sipas tij, kokainën e blejnë në Amerikën Latine dhe ushtrojnë veprimtari në disa shtete të BE-së.
Dumani vuri në dukje se këto grupe janë aktive në Shqipëri në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan e Kukës.
Sipas Dumanit, 10 prej këtyre grupeve kriminale janë goditur.
“Janë aktive në disa shtete të BE, si Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Norvegji. Këto grupe blejnë kokainë në Amerikën Latine. Grupet janë të përfshirë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik. Gjatë 2024 janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë provuar në gjykatë për aktivitetin e tyre. Karakterizohen nga strukturë hierarkike, përdorimi i komunikimeve të koduara, dhe pastrimi i parave. Janë aktive në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë”, tha ndër të tjera Dumani.
‘Arresti me burg i tepruar’, Dumani te ‘Ligjet’: Vetëm 9.7% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK! U hetuan 33 zyrtarë të lartë
Kreu i SPAK, Altin Dumani prezanton raportin e vitit 2024 në Komisionin e Ligjeve. Në të njëjtin Komision u ngrit problemi i masave të tëpuara të arrestit me burg, nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela apo ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Ndalur në këtë pikë, Dumani tha se SPAK ka marrë të gjitha masat për të siguruar aplikimin e standardeve uniforme gjatë hetimeve paraprake, duke ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit. Vetëm 7.9% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK.
“SPAK hartoi udhërrëfyesin strategjik për çështjet prapambetura, parashikon reduktimin e back log, përmes një metodologjie. Rekomandimi për hetimet financiare, u forcua me miratimin e udhëzimit të përgjithshëm në nëntor 2024.
Sa i takon standardizimit të ndjekjes penale, SPAK ka marrë të gjitha masat për të siguruar aplikimin e standardeve uniforme gjatë hetimeve paraprake, duke ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit. Vetëm 9.7% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK, duke shmangur abuzimin me masat më të rënda të sigurisë. Gjatë 2024, SPAK zhvilloi trajnime intensive për hetuesit financiar të BKH. Sa i takon krimeve zgjedhore, në janar 2025 SPAK miratoi strategjinë për zgjedhjet e 2025, duke garantuar hetim proaktiv. SPAK vijoi punë për plotësimi e strukturës, prokuroria numëron 124 punonjës”, tha Dumani.
Dumani tha se SPAK ka ndjekur rekomandimet e BE dhe ka marrë vlerësime për luftën kundër krimit të organizuar. Kreu i SPAK u shpreh se procesi për zgjedhjen e drejtorit të BKH është në fazë përmbyllëse.
Ndalur në Shifra, Dumani theksoi se 33 zyrtarë janë vënë në hetim nga SPAK, ndërsa 19 çështje janë dërguar në gjykatë. Po ashtu, vitin që lamë pas janë regjistruar 2 hetime për terrorizimin dhe 1 çështje është dërguar për gjykim./shqiptarja