Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit që lamë pas zunë 57,4 %, të gjithë tregtisë.
Referuar raportit të tregtisë së jashtme publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë vitit 2024 eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 71,7 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zunë 51,5 % të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë ishin Italia me 27,8% të vëllimit, Kina me 8,5%, Turqia me 8,0 % dhe Greqia me 7,2 %.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë këtij viti vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 13,9%, Kosova me 9,8%, Greqia me 18,2%, etj. Ndërsa ndër vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është Kina me 3,5%.
Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Kina me 4,2%, Turqia me 14,2%, Greqia me 19,7%, etj.
Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Italia me 2,3%, Maqedonia e Veriut me 14,9% dhe Zvicra me 29,8%, etj.
Gjatë vitit 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 373 miliardë lekë, duke u ulur me 15,4%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 894 miliardë lekë, duke u rritur me 2,5%, krahasuar me një vit më parë.
Deficiti tregtar arriti vlerën 522 miliardë lekë, duke u rritur me 20,7%, krahasuar me vitin 2023./atsh