Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi të enjten autoritetet e aeroportit të Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare, duke penguar presidenten gjatë kalimit nëpër aeroport.

Në një deklaratë të publikuar nga Bekim Kupina, zëdhënës i presidentes Osmani thuhet se “në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”.

yacht hotel sarande

Më tej në deklaratë thuhet se në kundërshtim me këto rregulla, “pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”.

Zëdhënësi Kupina tha se “sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të Presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”.

Presidentja Osmani e ka njoftuar “për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit (të Maqedonisë së Veriut) Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, tha se “teksa Presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që ta kalonte telefonin përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është tërhequr dhe larguar nga punonjësja e kompansië operuese të aeroportit (TAV), me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por, më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”.

Sipas ministrisë, “pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi me dy persona të tjerë dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar probleme presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”.

Ministria tha se po kryen hetime rreth asaj se çfarë ka ndodhur.

Ndërkaq, kompania TAV tha në një komunikatë se “si operator aeroporti, ka detyrim ligjor të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë udhëtarëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe nga aeroporti i Ohrit, duke përfshirë ata që udhëtojnë nëpër sallonin VIP. Prandaj, departamenti i sigurisë i TAV-it, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë së udhëtarit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial”.

Zëdhënësi Kupina tha se “presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në mënyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”.

Ministria e Jashtme e Kosovës tha se ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Në një postim në rrjetet sociale, thuhet se kjo ministri “me shqetësim ka mësuar rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin jodinjitoz të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani” dhe përmes ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

 

Ngjarja nxiti reagimin opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ish ministri i Jashtëm Bujar Osmani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim e dënoi atë që ai e cilësoi veprim të papranueshëm dhe skandaloz ndaj presidentes së Kosovës.

Ky incident tregon qartë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e përfaqësuesve të paligjshëm shqiptarë në qeveri. Duhet përgjegjësi të menjëhershme nga uzurpuesit e përfaqësimit shqiptarë në Qeveri dhe mbajtjen në llogari të atyre që janë përgjegjës për këtë situatë të turpshme” shkroi zoti Osmani.

Aleanca për Shqiptarët dënoi “ashpër provokimin e rëndë ndaj Republikës së Kosovës, përmes sjelljes skandaloze të zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit” ndaj presidentes Osmani.

Kërkojmë urgjentisht që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksionojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm skandaloz ndaj autoritetit të Presidentes së Kosovës, duke shkelur të gjitha protokollet dhe konventat ndërkombëtare. Qeveria e VMRO-së përmes vazalëve të VLEN, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Për Aleancën, “ky rast nuk është një incident i thjeshtë, por një provokim i rëndë për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i Qeverisë, deri tek personat që kanë qenë pjesëmarrës në këtë rast”./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu