Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se ka pasur një incident në Aeroportin e Shkupit.
Sipas versionit të Presidencës, sigurimi i Aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani.
Egnesa Vitia nga Presidenca ka thënë për KALLXO.com se sigurimi i Aeroportit të Shkupit, duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani.
“Kjo nuk ishte pranuar nga presidentja, derisa pas kësaj kishte pasur edhe tentim së shtyrjes fizike nga ana e sigurimit të Aeroportit ndaj presidentes Osmani” – tha Vitia.
Tutje ajo shtoi se me këtë rast kishte reaguar edhe Policia për ta hapur rrugën.
“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave që ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën” – thuhet në përgjigje.
Tutje ajo tha se duke mos i respektuar rregullat pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës të presidentes Osmani.
Sipas Vitisë, kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të Aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.
Ajo shtoi se Aeroporti është njoftuar me notë verbale nga Ambasada e Kosovës në Shkup, sipas rregullave diplomatike dhe siç bëhet në secilin shtet.
Vitia shtoi se pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes.
“Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit” – theksoi ajo tutje.
Vitia tha se për arsye të sigurisë në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal./kallxo.com