Një vajzë trevjeçare ishte mes personave që morën ndihmë mjekësore pasi një substancë, që policia dyshon se ishte sprej djegës (pepper spray), u përdor gjatë një grabitjeje në aeroportin Heathrow të Londrës.

Sipas Policisë Metropolitane, incidenti ndodhi të dielën në një ashensor të parkimit shumëkatësh pranë Terminalit 3, ku një grup prej katër personash dyshohet se i grabiti një gruaje një valixhe. Gjatë ngjarjes, autorët përdorën sprejin djegës, duke prekur edhe persona të tjerë që ndodheshin në zonë.

Në total, 21 persona u trajtuan për probleme shëndetësore, ndërsa pesë prej tyre u transportuan në spital. Policia konfirmoi arrestimin e një 31-vjeçari, i dyshuar për sulm dhe vepra të tjera penale, ndërsa kërkimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Autoritetet britanike sqaruan se incidenti është konsideruar i izoluar dhe nuk po trajtohet si akt terrorist. Megjithatë, ngjarja shkaktoi ndërprerje dhe vonesa në funksionimin e aeroportit, me mbylljen e përkohshme të parkimit dhe pezullimin e disa linjave hekurudhore.

Policia dhe shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 08:11 (ora lokale), ndërsa parkimi u rihap rreth orës 11:30. Komandanti Peter Stevens deklaroi se personat e përfshirë dyshohet se njiheshin mes tyre dhe se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Dëshmitarë okularë përshkruan momente paniku, ndërsa pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan prani masive të policisë së armatosur, mjete zjarrfikëse dhe kontrolle të shumta në parkimin e aeroportit.

Autoritetet konfirmuan se personat e lënduar nuk janë në rrezik për jetën, ndërsa linjat Heathrow Express dhe pjesë të linjës Elizabeth rifilluan funksionimin më vonë gjatë ditës.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu