Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalimit të tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ përshëndeti dhe falënderoi guximtarët që u përballën me atë që ai e quajti “terrori policor” i qeverisë së Edi Ramës, duke përmendur veçanërisht ata që morën pjesë në protestat e 7 tetorit. Ai shprehu solidaritetin me z.Emiri, i cili ishte sulmuar nga një polic që kishte tentuar ta digjte të gjallë.
Berisha bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, duke e përshkruar qeverinë aktuale si një diktaturë kriminale dhe korruptive që po shkatërronte Shqipërinë.
Kryedemokrati, Sali Berisha bëri thirrje për protestë kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u kërkuar qytetarëve të mblidheshin nesër në orën 11:00 pranë bashkisë për të marrë masa kundër tij. Ai e përshkroi qeverinë si një regjim kriminal që kishte zëvendësuar çdo ligj dhe normë me interesat dhe ambiciet e krerëve të saj. Sipas Berishës, ky regjim nuk do të ndalej pa veprimet e opozitës dhe qytetarëve, të cilët duhej të protestonin çdo ditë për përmbysjen e tij dhe për të arritur një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Lideri demokrat, Sali Berisha i drejtoi një paralajmërim të fortë Edi Ramës që, nëse do të guxonte të dëmtonte Gazment Bardhin apo ndonjë deputet tjetër të opozitës, nuk do të gjente vend mbi tokë. Ai përmendi se as tunelet dhe as shpellat nuk do ta shpëtonin Ramën nga gjykimi përpara shqiptarëve. Berisha e akuzoi Ramën dhe vëllain e tij, Olsi, për përfshirje në krime dhe trafiqe, duke theksuar se opozita nuk do të heshtte kurrë. Ai gjithashtu kritikoi ata që mbronin Ramën, duke i quajtur mjeranë që po turpëroheshin duke mbrojtur një kryeministër kriminal.
Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua Komunitetit Mysliman Shqiptar duke i bërë thirrje që të refuzonin përpjekjet e Edi Ramës për t’i përçarë. Berisha përmendi inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe riktheu në kujtesë se Edi Rama e kishte penguar për 11 vite dorëzimin e pronës komunitetit mysliman gjatë kohës që ishte kryetar bashkie. Berisha kritikoi mungesën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në ceremoni, duke e quajtur një ofendim për besimtarët dhe akuzoi Ramën për përdorimin e xhamisë për qëllime përçarjeje. Ai gjithashtu përmendi se Rama kishte shpallur krijimin e një “shteti bektashi” në OKB. Berisha e dënoi këtë akt në emër të PD-së, duke garantuar respektin e plotë për liritë dhe tolerancën fetare.
Lideri demokrat, Sali Berisha tha se, Edi Rama dhe presidenti i Shqipërisë përqendrohen vetëm në interesa vetjake dhe luks personal. Berisha përmendi një incident ku, një zyrtar i lartë, të cilin e quajti “Harapi i Presidencës,” kishte kërkuar nga presidenti turk ndërtimin e zyrave për veten e tij, duke e cilësuar këtë si një akt të turpshëm.
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar se, nuk u kërkua ndihmë për pensionistët ose për sigurimet shëndetësore, por vetëm për qëllime personale. Berisha e krahasoi këtë sjellje me Edi Ramën, duke e akuzuar për ndërtimin e kullave në tokë publike për përfitime vetjake. Berisha bëri thirrje për bashkim në mosbindje civile dhe për një luftë të pandalshme deri në fitore kundër qeverisë, duke përmendur se ky është momenti i tyre për të ndryshuar Shqipërinë./PD