Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë se futja në rendin e ditës e një projektvendimi për ndryshimin e vendimit mbi komisionin e reformës territoriale është e parregullt.

Sipas saj, propozimi nuk ishte votuar më parë në Konferencën e Kryetarëve, as pro dhe as kundër, çka – sipas Zhupës – e bën të pavlefshëm diskutimin e tij në seancë plenare.

“Diçka e pavotuar në Konferencën e Kryetarëve nuk mund të futet për votim në seancën plenare,” theksoi deputetja, duke shtuar se kishte pasur edhe një dakordësi për shtyrjen e çështjes me qëllim që të kishte më shumë kohë për diskutim.

Zhupa i kujtoi mazhorancës vendimin e përbashkët të votuar më parë në Kuvend nga të dyja forcat politike për realizimin e reformës territoriale, ndërsa akuzoi socialistët se po tentojnë të përsërisin modelin e njëanshëm të reformës së vitit 2014, të cilën e cilësoi si “të dështuar”.

Ajo i bëri thirrje shumicës të tërheqë projektvendimin dhe t’i qëndrojë parimit të bashkëkryesimit të komisionit, ku vendimet – sipas saj – duhet të merren me konsensus dhe jo përmes imponimeve apo ultimatumeve.

Deputetja theksoi se Partia Demokratike ka treguar gatishmëri për reformën, por paralajmëroi se veprimet e njëanshme rrezikojnë ta dështojnë atë që në nisje, duke sjellë pasoja për qytetarët dhe cilësinë e shërbimeve që ata marrin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu