
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi po zhvillon një konferencë me gazetarët lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
I pyetur se çfarë note ai i vë zgjedhjeve, Celibashi u shpreh se për këtë pret raportin e misionit të OSBE-ODIHR-it. Megjithatë shtoi se sipas opinionit të tij, zgjedhjet ishin të ngjashme me ato që bën një vend kandidat për në BE.
“Unë kam thënë që zgjedhjet për mua do të kenë dhe kanë vetëm atë vlerësim që do të bëjë misioni i OSBE-ODIHR. Raporti përfundimtar i tyre nuk ka dalë, besoj për punë ditësh del dhe besoj se do të pranoj çfarë note do të vendosin ata. Përtej kësaj mendoj se ky proces zgjedhor, edhe pse opozita ka thënë që nuk i njeh dhe ky është një problem që të bën të mendosh se nuk ka mundësi që opozita të dalë në një qëndrim të tillë, por unë mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat i bën një vend kandidat për në BE. Pra atë vendin anëtar nuk di të them, kur të bëhemi vend anëtar do të them se si bëhen zgjedhjet.”, tha Celibashi.
Mes të tjerash Celibashi u ndal në organizimin e komisioneve dhe rregullat e financimit të partive, duke theksuar se organizimi i zgjedhjeve është një prioritet për sa kohë është procesi i anëtarësimit në BE prioritet.
“Çështja e integrimit është prioritet jo vetëm për qeverinë por edhe për Kuvendin, por në kuadër të kësaj, unë vlerësoj se do të duhet të adresohen shumë çështje që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me aspektin administrative dhe të tjera. Do të duhet në kuadër të një reforme reale të plotë e të vërtetë, partitë politike të rikonsiderojnë së pari, organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja partiake e këtyre komisioneve ka treguar se është dështim sa i përket administrimit profesional dhe integritetit të procesit. Duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me financimin e partive. Ka nevojë për qartësi dhe plotëshmëri. Rregullat për financimin e palëve të treta dhe eksperienca e këtyre zgjedhjeve ka konfirmuar nevojën për të adresuar këtë cështje. Duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me fushatën eklektorale, përfshirë këtu edhe fushatën në rrjete sociale dhe internet. Janë dy aspekte që sot gjenden të parregulluara në legjislacionin shqiptar. Duhet të rikonsiderohen rregullat me veprimtarinë e funksionarëve publikë në një periudhë të caktuara para datës së zgjedhjeve.”, deklaroi Celibashi, duke shtuar se në zgjedhjet e fundit, duhet të ketë një raport më të qartë mbi kufijtë e veprimit të institucioneve publike.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ndal tek votimi nga jashtë. Ai tha se është e nevojshme të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit të diasporës dhe mënyrës si do të llogaritet ajo.
“Sa i përket votimit nga jashtë ka nevojë bazuar në eksperiencën e parë të zhvillimit të tij, të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdojnë t’u jepet mundësia për të votuar përmes postës, nëpërmjet internetit përmes qendrave të posaçme që mund të ngrihen, por do duhet të diskutohet për këtë. Njëkohësisht do duhet të diskutojmë se si do llogaritet dhe ku do të llogaritet vota e votuesve nga jashtë. Besoj nuk do të ketë kthim mbrapa. Kam dëgjuar disa që thonë që ky proces nuk ka nevojë të zhvillohet. Personalisht jam kundër, por do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit dhe mënyrën e llogaritjes së votës së tyre”, tha Celibashi.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se do të duhet një reformë e plotë dhe e vërtetë zgjedhore. Ai i bëri thirrje partive politike që të rikonsiderojnë organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Po ashtu, sipas tij, duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me financimin e partive pasi ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri.
“Vlerësoj që do të duhet në kuadër të një reforme reale të plotë dhe të vërtetë, partitë politike shqiptare si ajo e shumicës, apo ashtu ato të opozitës të rikonsiderojnë në kuadër të reformës zgjedhore, çështjet vijuese. Pikë së pari është ajo që ka të bëjë me organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja vetëm partiake e këtyre komisioneve tashmë qartësisht ka treguar se është një dështim le ta themi kështu sa i përket administrimit profesional dhe integritetit të procesit. Duhet të konsiderohen në mënyrë radikale rregullat që lidhen me financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri për këto rregulla sa i përket raportimit financiar, fuqizimit të kompetencave të KQZ-së për shqyrtimin dhe verifikimin e raporteve financiare”, tha Celibashi.
Një tjetër çështje që duhet parë me prioritet sipas Celibashit është edhe ajo e referendumeve.
“Nga pikëpamja ligjore kjo e drejtë kushtetuese nuk është e rregulluar. Mendoj që kjo çështje duhet të jetë prioritet absolut për partitë politike”, tha Celibashi.
Sa i përket ankimimeve, Celibashi tha se ka kaluar koha që ato të bëhen nga Kolegji Zgjedhor.
“Në instancë gjyqësore do duhet të mos jetë më Kolegji Zgjedhor organi që i shqyrton ankimet zgjedhore, mund të jetë gjykata administrative e zakonshme, ose e Shkallës së Parë, ose e Apelit, ose Gjykata e Lartë. Nuk e shoh me dobi që në kompetencën gjyqësore të shqyrtimit të ankimit ta ketë Kolegji Zgjedhor. Mund të ketë qenë zgjedhje shumë e mirë në fillimet e saj, por mendoj që sot jo”, tha Celibashi./Klan