
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të PD-së, Klevis Balliu, lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta. Pas kritikave të ngritura nga Balliu, i cili e akuzoi policinë se e arrestoi Metën si një “terrorist”, Proda ka sqaruar se çështja është ende nën hetim dhe ka mbrojtur veprimet e policisë.
Proda ka pranuar përdorimin e forcës gjatë arrestimit të Metës, duke argumentuar se ish-presidenti ka bërë rezistencë gjatë arrestimit. Ai ka theksuar se Policia e Shtetit ka përdorur forcën e nevojshme, e cila ka qenë proporcionale me situatën, dhe se nuk ka pasur veprime arbitrare.
Përballë akuzave të Balliut, i cili theksoi se ndodhi një dyfishim i standardeve për arrestimin e figurave të njohura dhe të krimit të organizuar, Proda ka theksuar se çdo individ duhet të sillet sipas detyrës që ka mbajtur dhe se në rastin e Meta-s, forca është përdorur vetëm për shkak të rezistencës.
Ndërkohë, Balliu ka ngritur dyshime për dy standarde, duke theksuar se bandat dhe kriminelët shpesh paralajmërohen për aksionet e policisë, ndërsa figura politike si Ilir Meta arrestohen me përdorim forcë, duke e cilësuar këtë veprim si të padrejtë dhe të pazakontë.
“Arrestuat Ilir Metën si terrorist, ndërsa bandat i paralajmëroni. Ilir Metën e arrestuat si terrorist. Ndërsa bandave u tregoni paraprakisht kur do vijë policia t’i arrestojë”, iu drejtua Balliu.
Proda u përgjigj: “Çështja është nën hetim, sa i takon opinionit tim nuk kemi të bëjmë veprim arbitrar, por kemi të bëjmë me përdorimin e forcës në rastet kur ka rezistencë ndaj arrestimit. Policia e shtetit kur bëhet rezistencë përdor forcë të nevojshme që besoj ka qenë proporcionale ne raport me situatën. I takon individit të sillet sipas detyrës që ka mbajtur”.







