Trupi i pajetë i Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që u vra në mënyrë brutale nga ish-i dashuri i saj, Mark Anthony Samson, ka mbërritur sot në banesën e familjes në Viale dello Stadio, Terni, ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore.

Pamjet e publikuara nga agjencia ANSA tregojnë një atmosferë të rëndë jashtë shtëpisë së saj, ku dhjetëra të afërm, miq dhe qytetarë të prekur nga tragjedia prisnin kortezhin mortor për ta shoqëruar Ilarian në banesën e fundit, në varrezat e Ternit, në orën 14:00.

Portat e godinës ku jeton familja janë mbuluar me mesazhe ngushëllimi, lule dhe tabela përkujtimore – një dëshmi e dhimbjes së thellë dhe solidaritetit të komunitetit.

Nëna e Ilarias, e përballur me një dhimbje të papërshkrueshme, është parë jashtë banesës duke thirrur emrin e vajzës së saj, përpara se të tërhiqej nga të afërmit për shkak të gjendjes së rënduar emocionale.

Ilaria u shpall e zhdukur më 25 mars, por një javë më pas u zbulua e vërteta tragjike: ajo ishte vrarë nga ish-partneri i saj, i cili e kishte goditur me thikë tri herë në qafë, më pas e kishte futur në një valixhe dhe e kishte hedhur në një humnerë.

Në shenjë zie, kryetari i bashkisë së Ternit, Stefano Bandecchi, ka urdhëruar uljen e flamujve në gjysmështizë, ndërsa në Universitetin Sapienza në Romë, ku Ilaria studionte, mësimet janë pezulluar për të nderuar kujtimin e saj./balkanweb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu