Në Itali është firmosur nga Zëvendësministri i Shëndetësisë, Marcello Gemmato, qarkorja që autorizon përdorimin e ilaçit antiviral GS-441524, një derivat i Remdesivir-it, për trajtimin e FIP (Peritoniti Infektiv Felin) – sëmundje që rezulton vdekjeprurëse në 96% të rasteve simptomatike te macet.

Lajmin e ka bërë publik Michela Vittoria Brambilla, presidente e Lidhjes Italiane për Mbrojtjen e Kafshëve dhe Mjedisit, e cila e cilësoi këtë si “një tjetër premtim të mbajtur dhe një shpresë për shpëtimin e shumë maceve nga vdekja e sigurt”.

Sipas qarkores, GS-441524 do të jetë i disponueshëm në farmaci me recetë veterinare, në formë tabletash galenike që merren me gojë. Ky trajtim, ndryshe nga Remdesivir-i që përdorej vetëm në spitale dhe kishte kosto shumë të lartë, do të jetë më i përballueshëm dhe më praktik, duke lejuar përshtatjen e dozës sipas nevojës së secilës kafshë.

Deputetja Brambilla theksoi se ky është një hap i rëndësishëm, sepse deri më sot pronaret e maceve të sëmura nga FIP detyroheshin të kërkonin ilaçe të paligjshme online, duke rrezikuar shumë për të shpëtuar jetën e kafshëve të tyre.

“Tani hapet një kapitull i ri — FIP nuk do të jetë më një dënim me vdekje për macet. Kemi shpëtuar dhe do të shpëtojmë jetën e shumë prej tyre”, – deklaroi Brambilla.

 

📍Burimi: Agenzia DIRE / Corriere Nazionale

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu