
Pushues polakë në Shqipëri, të cilëve pushimi iu kthye në stres për shkak të zhurmave të ndërtimit, kanë ngritur padi kundër hotelit ku qëndruan, duke kërkuar dëmshpërblim. Rasti ka mbërritur deri në Gjykatën Europiane, e cila tani forcon të drejtat e pushuesve.
Sipas vendimit të Gjykatës Europiane me seli në Luksemburg, turistët që prenotojnë paketa all-inclusive kanë të drejtë të kërkojnë zhdëmtim të plotë të pagesës në rast të mangësive të mëdha në shërbim dhe kushteve të papërshtatshme gjatë pushimeve. Edhe nëse pjesërisht janë shfrytëzuar elementët e paketës, pushimi që kthehet në shqetësim dhe humb interesin për të përbën bazë për kthimin e pagesës.
Rasti konkret përfshin një hotel me pesë yje në Shqipëri, ku turistët polakë u përballën me zhurma gjatë shembjes së pishinës, pritje të gjata për ushqim dhe mungesë të vakteve të planifikuara. Në tri ditët e fundit të pushimit filluan punime ndërtimi për zgjerimin e hotelit.
Gjykata polake, ku u ngrit padi fillimisht, iu drejtua Luksemburgut për interpretim ligjor. Sipas vendimit, operatori turistik duhet të kthejë pagesën e plotë të pushuesve, por nuk mund të gjobitet dhe nuk mund të kërkohet zhdëmtim kur mangësitë shkaktohen nga një palë e tretë e papritur.
Tani, gjykata kombëtare në Poloni do të vendosë nëse operatori turistik ose menaxhuesi i hotelit kanë pasur dijeni për procedurat e autoriteteve që urdhëruan shembjen e objektit. Në këtë rast, operatori nuk mund të lirohet nga detyrimi për zhdëmtim.







