Ndërprerja e energjisë elektrike në reanimacionin qendror të QSUT mbrëmjen e së hënës ka shkaktuar panik dhe kaos mes stafit mjekësor dhe familjarëve, duke paralizuar për disa minuta punën në repartin më kritik të spitalit.

Pas ngjarjes, shefi i shërbimit të reanimacionit në QSUT, Krenar Lilaj, sqaroi se situata u menaxhua në kohë dhe se jeta e asnjë prej pacientëve të intubuar nuk u cenua.

Sipas Lilajt, ndërprerja e energjisë zgjati vetëm disa minuta, por për shkak të pasigurisë mbi rikthimin e saj dhe rrezikut të mosfunksionimit të aparaturave jetike, u mor vendimi për transferimin e disa pacientëve.

“U informuam se bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Për të shmangur rënien e njëkohshme të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër, vetëm 20 metra larg, duke garantuar vazhdimësinë e trajtimit,” tha Lilaj.

Në total, sipas tij, u transportuan 9 pacientë, të cilët ndodheshin në respiracion të drejtuar, ndërsa procedura u krye pa komplikacione dhe nën mbikëqyrje të plotë mjekësore.

Shefi i reanimacionit sqaroi gjithashtu se ndërprerja e energjisë nuk ka lidhje me vdekjen e të dënuarit Mihal Mërkuri, i cili humbi jetën në orët e para të mëngjesit. Ai theksoi se gjendja e pacientit ishte kritike që në momentin e shtrimit.

“Pacienti vuante nga cirroza hepatike dhe kishte pësuar hemorragji masive, për të cilën ishte trajtuar kirurgjikalisht. Gjendja e tij ishte shumë e rëndë që në ardhje dhe është ndarë nga jeta në orën 04:13,” deklaroi Lilaj.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen mbi sigurinë energjetike në institucionet shëndetësore dhe funksionimin e sistemeve rezervë në rast emergjencash.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu