Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj prokurorit të Hagës, Matt Halling, pas deklaratave të këtij të fundit në seancën gjyqësore ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Halling si “idiot ndërkombëtar”, duke shoqëruar reagimin me një video nga seanca gjyqësore.

“Çfarë IDIOTI NDËRKOMBËTAR🤡”, shkroi kreu i qeverisë krahas pamjeve të prokurorit.

Çfarë tha prokurori Matt Halling?

Gjatë fjalës së tij, Halling deklaroi se disa figura ndërkombëtare, përfshirë James Rubin dhe Wesley Clark, nuk e kishin kuptuar se Hashim Thaçi ishte i aftë të maskonte realitetin e asaj që ndodhte gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, kjo kishte ndikuar në mënyrën se si ndërkombëtarët e perceptuan funksionimin e UÇK-së.

“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja,” deklaroi Halling.

Ai shtoi se disa prej këtyre aktorëve “nuk kishin interes për të kuptuar realitetin” dhe besonin se ishin në anën e duhur të historisë, ndërsa trupi gjykues tashmë po dëgjonte prova që mund të çonin në vendime përkatëse.

Prokurori theksoi gjithashtu se, edhe pse kryekomandanti i identifikuar i UÇK-së mund të mos ketë ushtruar një komandë të ngjashme me atë të NATO-s apo SHBA-së, ekzistonin hierarki të mjaftueshme për të kontestuar përgjegjësinë eprore sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Procesi ndaj ish-liderëve të UÇK-së

Sot shënon ditën e dytë të paraqitjes së deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si edhe ish-deputetit Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.

Prokuroria ka kërkuar deri në 45 vite burg për secilin prej të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërtit i kanë mohuar, duke u deklaruar të pafajshëm.

Krimet pretendohet se janë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, ndërsa gjykatësit kanë deri në tre muaj kohë për të marrë një vendim ose për të kërkuar shtyrje të afatit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu