
Ibiza, e njohur për ujin kristal dhe jetën e saj të gjallë verore, po përballet me një emergjencë ekologjike që po tremb gjithnjë e më shumë turistë. Gjarpërinj të mëdhenj, deri në 1.8 metra të gjatë, janë parë duke notuar në det – një fenomen që po i largon pushuesit nga plazhet e famshme të ishullit.
Sipas raportimit të gazetës italiane La Repubblica, bëhet fjalë për një specie të njohur si biacco – një gjarpër jo helmues, me origjinë nga Spanja kontinentale dhe Afrika e Veriut – i cili është përhapur me shpejtësi në mjedisin natyror të Ishujve Balearikë.
“Ata jo vetëm që po shtohen me ritme alarmante, por tani po futen edhe në det,” thotë Víctor Colomar, koordinator i Konsorciumit për Mbrojtjen e Faunës së Egër në Ishujt Balearikë. “T’i shohësh duke notuar është tronditëse. Nuk e kishim menduar kurrë se do të bëheshin kaq të zotë në ujë.”
View this post on Instagram
Gjarpërinjtë janë futur në habitatin e Ibizës përmes transportit të bimëve dekorative nga pjesë të tjera të Spanjës. Pasi u vendosën në tokë, kanë gjetur kushte të favorshme për shumim – me pak grabitqarë natyralë dhe bollëk ushqimi. Më së shumti po prekin popullatat vendase të hardhucave, duke rrezikuar ekuilibrin ekologjik.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë ngritur alarmin dhe po mendojnë masa për të frenuar përhapjen, por sfida duket e madhe. Ndërsa rritet frika në rrjetet sociale, shumë turistë po shprehen se nuk ndihen më të sigurt për të hyrë në ujë.
Ibiza, që dikur simbolizonte relaks dhe argëtim, po përballet tani me një realitet të ri – atë të gjarpërinjve që notojnë lirshëm në gjiret e saj të kristalta.