Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka reaguar përmes një deklarate zyrtare pas publikimit të disa lajmeve të pavërteta në media dhe rrjetet sociale, të cilat lidhen me funksionimin e Njësisë së Radioterapisë.

Sipas QSUT, pajisja e brakiterapisë ka pësuar një ndërprerje të përkohshme për shkak të një sinjali automatik të sistemit që kërkonte mirëmbajtje rutinë. Menjëherë pas sinjalizimit, janë njoftuar Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe kompania prodhuese. Me asistencën e Drejtorisë së Pajisjeve Biomjekësore dhe pas verifikimeve nga fizikanët mjekësorë, pajisja ka rifilluar punën normalisht më 23 qershor 2025, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare të sigurisë.

Lidhur me akseleratorët linearë, QSUT bën me dije se nga dy pajisjet funksionale, njëra pësoi një defekt teknik pasditen e së premtes, më 27 qershor 2025. Inxhinierët e klinikës kanë ndërhyrë menjëherë dhe pritet që pajisja të rikthehet në funksion brenda ditës së hënë.

Institucioni thekson se gjatë këtyre ditëve janë përhapur informacione të pasakta dhe të nxjerra jashtë çdo konteksti profesional, duke shkaktuar panik te pacientët dhe presion të padrejtë mbi stafin mjekësor dhe teknik, i cili vijon të jetë i angazhuar maksimalisht për garantimin e cilësisë dhe sigurisë së trajtimeve.

QSUT kujton se radioterapia është një fushë e rregulluar nga protokolle dhe standarde të rrepta ndërkombëtare, dhe çdo veprim i stafit shëndetësor është i koordinuar me autoritetet përkatëse dhe me rregullat e sigurisë bërthamore.

Në fund, institucioni u bën thirrje mediave të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi në trajtimin e temave të ndjeshme që lidhen me shëndetin e pacientëve, duke u mbështetur vetëm në burime zyrtare dhe të verifikuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu