
Zjarri që përfshiu pasditen e së dielës një pjesë të varrezave të Elbasanit tronditi emocionalisht dhjetëra familjarë, të cilët kujdesen për varret e të afërmve të tyre. Policia njoftoi se ka nisur procedimin penal ndaj një 33-vjeçari që dyshohet se i vuri zjarrin disa shkurreve pranë varrit të nënës së tij, por përgjegjësia e kësaj ngjarjeje nuk ndalet vetëm te një individ.
Prej kohësh, varrezat e Elbasanit janë lënë në harresë nga Bashkia, e cila nuk ka kryer as pastrimin e barit të thatë e as mirëmbajtjen e parcelave. Kjo neglizhencë ka krijuar një terren të rrezikshëm, që në këto ditë me temperatura të larta jo vetëm favorizon përhapjen e zjarreve, por është shndërruar edhe në një strehë për gjarpërinj. Siç ka raportuar edhe më herët portali aia.al, vetëm guximtarët hyjnë në varreza, duke kaluar përmes barit të gjatë dhe duke rrezikuar të pickohen nga gjarpërinjtë.
Një grua humbi jetën nga pickimi i gjaprit verën e kaluar.
Në parcelat ku ndodhi edhe zjarri i fundit, banorët tregojnë se plehrat dhe barishtet janë kthyer në problem serioz. Disa gra që ndihmojnë qytetarët për pastrimin e varreve shprehen se kanë dëgjuar për një urdhër për kositjen e barit, por askush nuk ka ndërhyrë deri tani.
Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit, në një reagim të thatë, u bëri thirrje qytetarëve për kujdes me flakët, pa marrë përsipër asnjë përgjegjësi për gjendjen e rënduar të varrezave, ku kujdesi ndaj të ndjerëve po kthehet në një rrezik për të gjallët.
Derisa të merren masa konkrete, pamjet e familjarëve me kazma në duar, që pastronin vetë varret e tyre, duke u ruajtur nga gjarpërinjtë dhe zjarret, do të vazhdojnë të jenë një pasqyrë e hidhur e harresës institucionale që ka pllakosur këtë vend ku prehen mijëra qytetarë brez pas brezi.