
Enea Busukja inspektor i Hetimit Tatimor në Shkodër ka dëshmuar para bluve se nuk ka konflikte me asnjë pas atentatit që i bënë një ditë më parë në lagjen “Ndoc Mazi” njohur dhe si “Arra e Madhe”.
38-vjeçari i cili mbeti i plagosur pasi lënda plasëse shpërtheu, sapo ai ndezi automjetin thotë gjithashtu se nuk e di se nga kush mund t’i ketë ardhur kjo gjë.
“Nuk kam konflikte me askënd. Nuk kam asnjë dyshim se nga mund të ketë ardhur kjo ngjarje”, citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, por ende nuk ka të dhëna për autorët e vendosjes së eksplozivit.
Grupi hetimor ka sekuestruar provat e gjetura në vendin e ngjarjes, ndërsa po analizohen edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë dhe në akset hyrëse të qytetit.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë itinerarin e autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar drejt fshatit Dragoç, ku u gjet e djegur makina e përdorur në atentat.







