
I riu turk 26-vjeçar Burak Öztürk, i cili është nisur nga Gjermania me biçikletë për të kryer haxhin në vendet e shenjta në Arabinë Saudite, ka mbërritur në qytetin e Prizrenit në jug të Kosovës, raporton Anadolu.
Öztürk, i cili u nis me biçikletën e tij rreth një muaj më parë nga qyteti Shtutgart i Gjermanisë për të kryer haxhin, ka përfunduar 2 mijë kilometra nga gjithsej 6 të udhëtimit të tij.
Duke arritur në Kosovë me biçikletë përmes Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, Öztürk synon të arrijë në Arabinë Saudite dhe të kryejë haxhin duke kaluar përmes Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Türkiyes, Sirisë dhe Jordanisë.
Öztürk paraprakisht vizitoi Mitrovicën, ndërsa më pas edhe Prizrenin ku ndaloi me biçikletën e tij për vizitë në sheshin historik Shadërvan dhe u lut në xhaminë qendrore “Sinan Pasha”.
Kosovarët e ndaluan shpesh kandidatin e ri për haxh, i cili u bë i famshëm duke ndarë momente të udhëtimit të tij në rrjetet sociale, duke bërë fotografi dhe duke biseduar me të, si dhe i ofruan para xhepi dhe dhurata.
“Ndihem shumë mirë në Prizren”
Öztürk tha për Anadolu se rrugëtimi i tij shkoi mirë dhe ai mbërriti në Prizren pa asnjë problem dhe me një mikpritje të veçantë.
“Ndihem shumë mirë sidomos në Prizren, sepse miqtë e mi më mbështesin shumë. Tashmë jam rehat dhe ndihem si në shtëpinë time pasi që ky vend është shumë i ngjashëm me qendrat e vjetra të qyteteve në Türkiye”, tha ai.
Öztürk, i cili udhëton mesatarisht 80 kilometra në ditë me biçikletë, tha se është i vendosur për të arritur në kohë për të kryer haxhin.
“Duhet ta arrij në kohë për haxhin. Sepse kam vizë për haxhin. Meqë haxhi është në fillim të qershorit, dua të arrij në Mekke kah fundi i majit. E kam një synim të tillë. Epo, Zoti e di nëse do të jetë e mundur ose jo. Të shohim. Ditët e mia kanë qenë pak të ngarkuara deri më tani, nuk mund të bëj shumë kilometra, por vëllezërit e mi muslimanë po më gëzojnë”, thotë ai.
Öztürk, i cili theksoi se familja e tij është krenare për udhëtimin e tij, vendosi në biçikletë rrobat personale, por edhe flamuj dhe simbole që lidhen me Palestinën.
“E di që ky udhëtim nuk është vetëm udhëtimi im. Ndjej sikur u nisëm si i gjithë umeti. Falë Zotit që u bë. E kam veshur këtë shenjë veçanërisht për të më kujtuar Gazën, sepse fatmirësisht disa njerëz më shohin në rrjetet sociale, dua t’ua kujtoj kështu. Është gjithashtu e drejta e tyre. Nëse nuk e bëj këtë, e shoh veten fajtor”, tha ai.
Më tej, ai tha se ka shpresë se do ta arrijë haxhin dhe shprehu shpresë që “Allahu ta pranojë, një mendim të tillë e kam, po nisem me fatin më të mirë, në dashtë Zoti”.
Öztürk shtoi se nuk ka frikë nga udhëtimi, sepse e di që është nën mbrojtjen e Zotit./Anadolu Ajensi