
Policia ka vënë në pranga një 48-vjeçar të përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Uniformat blu njoftuan se Sinan Kovaci bashkë me disa të dyshuar të tjerë në hetim, kanë lehtësuar kalimin në mënyrë të paligjshme të shtetasve shqiptarë e të huaj nga Shqipëria drejt SHBA-së. Pagesat vijonin nga 30 deri në 40 mijë dollarë për person.
Policia e Shtetit:
Arrestohet një shtetas shqiptar i përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më datë 26.02.2025, Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë së Përbashkët Hetimore dhe me bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara prezente në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, ka depërtuar në një rrjet kriminal të akuzuar për kontrabandën e dhjetëra shtetasve shqiptarë nga Evropa në Shtetet e Bashkuara. Ky aktivitet dyshohet se ka nisur në vitin 2020.
Në bazë të një urdhër arresti, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, një nga të dyshuarit, shtetasi S.K. 48 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar.
I arrestuari dhe të dyshuarit e tjerë në hetim, kanë lehtësuar kalimin në mënyrë të paligjshme të shtetasve shqiptarë dhe të shtetasve të huaj, nga brenda Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesës prej 30-40 mijë dollarë për person.
Hetimet vazhdojnë së bashku me partnerë të tjerë ligjzbatues, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të kontrabandës me qenie njerëzore.
Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë edhe një herë Prokurorinë e Përgjithshme të Juridiksionit të Tiranës dhe angazhimin e partnerëve ligjzbatues të SHBA-së, për bashkëpunimin dhe koordinimin e tyre në këtë hetim penal.